E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, letër eurodeputetëve: “Mos u tërhiqni nga angazhimi për transparencën”

Kryesocialisti: “Opozita është e gatshme të gjejë zgjidhjen përmes dialogut”

Eneida Jaçaj
Në letrën drejtuar krerëve të grupeve europarlamentare, Martin Shults dhe Zhozef Daul, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ka bërë thirrje të mos tërhiqen nga angazhimi për të ndihmuar Shqipërinë drejt transparencës së zgjedhjeve. Lideri i opozitës thekson se krahu i majtë është i gatshëm për të vazhduar përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes përmes dialogu, por u bën me dije se qëndrimi i qeverisë për të gjetur një zgjidhje ka mbetur dhe vazhdon të jetë i ngurtë dhe i pandryshuar.
Letra
Lideri i opozitës, në letrën drejtuar europarlamentarëve ka falënderuar përpjekjet e Parlamentit Europian për zgjidhjen e krizës në Shqipëri. “Shpreh keqardhje për përfundimin e kësaj ndërprerjeje, e cila dëshmoi ndjeshmërinë tuaj të veçantë ndaj Shqipërisë në rrugën e demokracisë e të integrimit, që është sinqerisht e madhe. Por nuk është e vogël as shpresa ime se ju nuk do të tërhiqeni nga kjo përpjekje dhe angazhimi e eksperienca juaj do të mbeten në shërbim të zgjidhjes së kërkuar me ngulm prej familjes europiane, të dëshiruar përditë e më shumë prej opozitës shqiptare dhe kaq shumë të domosdoshme për vendin tonë e qytetarët e tij në këtë moment delikat”, - shprehet në letër kryesocialisti, duke shtuar se “nuk jam në gjendje të them se sa e dëshiron zgjidhjen qeveria e Shqipërisë dhe, pa dashur ta paragjykoj atë, nuk e fsheh çudinë dhe shqetësimin tim përditë e më të madh për qëndrimin e saj tërësisht të ngurtë e të pandryshuar qysh nga dita e parë. Çuditem sepse besoj se një qeveri e zgjedhur për të udhëhequr proceset e integrimit duhet të ishte forca më e angazhuar për të dalë nga rrethi vicioz i një krize si kjo që thellohet përditë. Shqetësohem sepse kjo krizë, të cilën kryeministri i vendit e mohon se ekziston, madje duke akuzuar çdo ditë opozitën si manipulatore e realitetit në zyrat e Perëndimit, në të vërtetë po e dobëson përditë demokracinë dhe ekonominë e vendit”.
Gatishmëria
Kryesocialisti shprehet në letër se opozita gjithnjë ka qenë e gatshme për të gjetur një zgjidhje për transparencën dhe se vazhdon të jetë e tillë. “Me barrën e përgjegjësisë së detyrës për të përfaqësuar jo vetëm partinë time, as edhe thjesht koalicionin opozitar, i cili sot shtrihet majtas e djathtas në një grupim të madh partish në kërkim të transparencës së zgjedhjeve të shkuara, por aspiratën e madhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve pa dallim për lëvizjen e lirë dhe integrimin europian, unë dëshiroj t'Ju bëj me dije se mbetem plotësisht i gatshëm të vazhdoj përpjekjen për gjetjen e zgjidhjes përmes dialogut”, - thekson Rama.
Lideri i opozitës, në letrën drejtuar eurodeputetëve Shults dhe Daul, e vë theksin edhe në proceset integruese të vendit, të cilat rrezikojnë të bllokohen nëse nuk ka një bashkëpunim me maxhorancën për të zgjidhur krizën. “Falë deklaratës suaj të përbashkët para pak ditësh është e qartë për të gjithë se për sa kohë nuk ka një zgjidhje, të cilën palët duhet ta gjejnë për të mirën e vendit të tyre, nuk ka as përparim të proceseve të integrimit tonë evropian, pavarësisht dëshirës së mirë të miqve dhe partnerëve të Shqipërisë. Sot Shqipërisë i duhet me patjetër një zgjidhje për të hapur rrugën e integrimit, duke përmbushur denjësisht kriterin e Kopenhagës dhe duke lënë pas një krizë që nuk mund të mbulohet pa u zgjidhur”, - shprehet Rama në letër.

Apeli

Kryesocialisti falënderon ndërkombëtarët për kontributin e transparencës dhe i fton të mos tërhiqen ndaj ndihmës për vendin

Kompromisi

Kreu i PS-së, Rama, në letër shprehet se mbetet plotësisht i gatshëm të vazhdojë përpjekjen për gjetjen e zgjidhjes përmes dialogut

Integrimi
Lideri i opozitës thekson se sot Shqipërisë i duhet me patjetër një zgjidhje për të hapur rrugën e integrimit, duke përmbushur denjësisht kriterin e Kopenhagës

22 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›