E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligjet me 84 vota, Berisha i shtrin dorën opozitës

“PS-ja të sjellë amendamentet e saj për Gjykatën Administrative”

Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje opozitës që të miratojë ligjin për Gjykatën Administrative. Në fund të sesionit parlamentar, në axhendën e Kuvendit janë listuar një sërë ligjesh që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, ndaj dhe kreu i qeverisë, Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, kërkon votat e PS-së për të kaluar një sërë ligjesh. Kështu, përveç ligjit për Gjykatën Administrative, Berisha kërkon miratimin e ligjit për Policinë Gjyqësore dhe atë për heqjen e imunitetit të deputetëve. Madje ai është shprehur i gatshëm për kompromis me PS-në dhe i ka bërë thirrje dje opozitës që të sjellë në Kuvend amendamentet e saj për projektligjin për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Administrative. Por opozita ka vendosur që prej dy seancash se nuk do të votojë asnjë projektligj që kërkon shumicë të cilësuar votash deri në zgjidhjen përfundimtare të krizës politike, çka nënkupton deri në transparencën e plotë të procesit zgjedhor. Kreu i qeverisë nuk e ka përmendur këtë qëndrim të PS-së, ndërsa ka shtuar se ky draft i intereson më shumë PS-së, pasi ajo drejton shumicën e pushtetit vendor, i cili mbledh taksat e biznesit të vogël.
Thirrja
“Do të ndalem edhe njëherë te ligji për Gjykatën Administrative. Shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje opozitës të trajtojë me seriozitetin më të madh problemin e votimit të këtij ligji. Së pari, dua t’i informoj qytetarët shqiptarë se aktualisht 70% e bizneseve në Shqipëri janë tërësisht në raport me sistemin tatimor, në varësi totale të opozitës shqiptare. I gjithë biznesi i vogël, i cili përbën 90% të biznesit shqiptar në raport me taksat, tatimet, administrohen tërësisht nga qeveritë vendore. Qeveria qendrore ka nga këto biznese kontributin e sigurimeve shoqërore. Të gjitha taksat e tjera i ka në kontroll dhe në administrim pushteti vendor. Në qoftë se opozita nuk është e interesuar për arbitraritetin e pushtetarëve të saj ndaj biznesit, opozita e voton ligjin e Gjykatës Administrative. Në qoftë se opozita dhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste është e interesuar për një qeverisje të mirë vendore të qeveritarëve të saj, ajo e voton pa humbur kohë ligjin, sepse 70% e subjekteve private janë totalisht në varësi të pushtetit të saj”, - është shprehur Berisha. Ai u shpreh i gatshëm për kompromis me PS-në për këtë draft dhe i bëri thirrje që të sjellë sa më parë në Kuvend amendamentet për ligjin.
Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, në seancën e fundit, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, u shpreh se PS-ja është pro ngritjes së funksionimit të Gjykatës Administrative, por me kusht që ajo të jetë e pavarur dhe jo një tjetër gjykatë politike, që sipas Ruçit, nuk i shërben biznesit. Ai madje bëri të ditur se PS-ja ka rreth 40 amendamente për këtë projektligj. Në këtë kuadër, edhe kreu i qeverisë, Berisha, gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit të PD-së, si kusht për ligjin vendosi vetëm kriterin e depolitizimit të kësaj gjykate. “Ne u ofrojmë si kompromis atë që, le të sjellin amendimet që duan për ligjin me një kusht të vetëm: të respektojnë për këtë gjykatë nenin që bashkërisht votuam për sistemin tërësor gjyqësor, nen sipas të cilit nuk mund të futen më në sistemin e drejtësisë flukse nga politika apo të tjerë, përveçse nga magjistratura. Ndaj dhe unë e ftoj opozitën që të formulojë amendamentet që do për të zgjedhur dhe procedurat më transparente të krijimit të kësaj gjykate, si dëshmi e vullnetit të saj për të ndërprerë abuzivitetin e qeveritarëve të saj, të administratës së qeveritarëve të saj, por natyrisht edhe të qeverisë qendrore, sepse unë nuk them se qeveria nuk ka lidhje me biznesin, sepse i tërë biznesi i mesëm dhe i madh administrohet nga autoritetet qendrore tatimore dhe jo lokale”, - është shprehur kreu i Ekzekutivit. Sipas Berishës, kjo reformë është shumë e rëndësishme që të votohet nga të gjithë deputetët e të gjithë spektrit, për të kufizuar arbitraritetin qeveritar, qoftë ai qendror apo lokal, mbi bizneset shqiptare dhe se ky është një detyrim ligjor dhe moral shumë i madh si i qeverisë, ashtu dhe i opozitës. “Në Shqipëri, dua t’i njoh qytetarët, se 99% e bizneseve janë të mesme dhe të vogla dhe së paku 80% e tyre janë të vogla. Ligji për Gjykatën Administrative ka një histori. Ky ligj, në një shqyrtim të mëparshëm, ka marrë votat e të gjithë anëtarëve të komisionit një vit e gjysmë më parë, por sërish ne mbetemi të hapur, kushdo qofshin amendimet që opozita kërkon të sjellë, për të përmirësuar standardet e tij, përveç kushtit që nuk duhet të shkelmojë më mbi të. Nuk duhet të pranojmë as ne, as opozita se persona që kanë lakmuar dhe ushtruar karrierë politike, për shkak të mosbesimit që ngjallin te një palë apo te një tjetër, të rikthehen në sistemin gjyqësor. E kundërta mund të ndodhë; gjykatësit, prokurorët mund të marrin funksione në politikë dhe të tjera, por me kusht që t’i thonë mirupafshim profesionit të tyre të nderuar dhe kjo është normale”, - është shprehur Berisha.

22 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›