E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: “Mashtrimi në miliona dollarë i qeverisë me buxhetin e shtetit”

Në kuadrin e krizës ekonomike ku ndodhet vendi në ditët e sotme edhe si rezultat i përmbytjeve në Shkodër, Partia Socialiste, gjatë vëzhgimeve ka konstatuar dhe ka bërë publike dje në një komunikim për mediat dy fakte të reja që kanë të bëjnë me papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e qeverisë në fushën e financave. Në bazë të vëzhgimeve që ka bërë deputeti i PS-së, Ilir Beqja, është konstatuar se në një hark të vogël kohor, Prodhimi i Brendshëm Bruto ka ndryshuar 3 herë, duke u reduktuar në shifra më të vogla. Duke mos mjaftuar vetëm ky fakt, deputeti Beqja ka konstatuar se të ardhurat dhe investimet për buxhetin e vitit 2010 do të kenë një shifër më pak seç kanë votuar deputetët e PD-së. Në atmosferën e shifrave dramatike për vendin, PS-ja ka kërkuar rikthimin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, të cilit iu shkurtua mandati i qëndrimit në Shqipëri nga qeveria “Berisha”.
Vlera e PBB-së
Deputeti socialist Beqja i ka ilustruar faktet e sipërpërmendura duke iu referuar Fletores Zyrtare për vitin 2010, ku tregohet vlera në ulje e shifrave të PBB-së. “Vetëm në një hark kohor më të vogël se një muaj, Prodhimi i Brendshëm Bruto ndryshoi 3 herë. Në periudhën 26 nëntor 2009 – 7 janar 2010 janë botuar në tri Fletore Zyrtare të ndryshme tri shifra të ndryshme të vlerës nominale të Produktit të Brendshëm Bruto për vitin 2009”, - deklaroi Beqja. Sipas tij, ligji “Për buxhetin e vitit 2010” tregon se PBB kap shifrën prej 1,166,630 milionë lekësh. Duke iu referuar Aktit Normativ “Për disa ndryshime në ligjin ‘Për buxhetin e vitit 2009’”, PBB, deklaron Beqja, kap shifrën prej 1,176,349 milionë lekësh. Ndërsa, sipas tij, përsa i përket vendimit të KM “Për miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal, për periudhën 2011 – 2013”, datë 7 janar 2010, PBB kap shifrën prej 1,143,373 milionë lekësh. “Brenda 6 javësh, sipas interesave të tija të ndyra politike, Sali Berisha e rrit Produktin e Brendshëm Bruto me 101 milionë dollarë dhe më pas e pakëson me 343 milionë dollarë”, - u shpreh deputeti Beqja.
Buxheti 2010
Nuk do të mjaftonte vetëm vlera nominale e PBB-së si pasojë e paaftësisë së qeverisë, por të ardhurat dhe investimet në buxhetin e këtij viti do të kapin një shifër më të ulët seç është parashikuar. Deputeti Beqja deklaroi se në datën 26 nëntor, Kuvendi i Shqipërisë miratoi buxhetin e vitit 2010, ndërsa më 7 janar të vitit 2010, tri ditë pune pas nisjes në vitin e ri, kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, pranuan se kishin votuar gabim për buxhetin 6 javë më parë. Në këtë kontekst, sipas deputetit socialist, kryeministri Berisha hodhi poshtë të gjitha premtimet e bujshme për buxhetin 2010, duke parashikuar se të ardhurat do të jenë 317 milionë dollarë më pak sesa kanë votuar deputetët e tij para 6 javësh, dhe investimet do të jenë 195 milionë dollarë më pak sesa kanë votuar deputetët e tij para 6 javësh, dhe 344 milionë dollarë më pak se viti 2009. “Këto janë të tjera fakte që dëshmojnë jo vetëm krizën e thellë politike dhe morale që përjeton qeveria shqiptare, por edhe fakte që tregojnë sa thellë është zhytur Shqipëria në krizën ekonomike dhe financiare. Papërgjegjshmëria e pashoqe e Sali Berishës, kryeministër i vendit, e Ridvan Bodes, ministër i Financave, për të luajtur me llogaritë kombëtare, është vrastare për të ardhmen e vendit”, - përfundoi deputeti Beqja.

22 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›