Kosovë, Prokuroria Speciale heton veprimtarinë e SHIK-ut
Siç mëson "Koha ditore" nga burime brenda kësaj prokurorie, shkas për nisjen e hetimeve është bërë marrja përsipër e mbi 17 veprave penale të Nazim Bllacës, të kryera në llogari të SHIK-ut. Hetuesit e EULEX-it kanë mbledhur ose janë në proces të mbledhjes së provave të nevojshme për veprimtarinë e SHIK-ut që nga viti 1999 e këtej.
Zhvillimin e hetimeve e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, por pa dhënë detaje, por vetëm ka thënë se hetimet janë duke u zhvilluar me "shpejtësi të madhe".
Gazeta pohon se Shërbimi Informativ i Kosovës është "legjitimuar" nga Qeveria e Përkohshme në vitin 1999, dhe shef i kësaj organizate ka qenë Kadri Veseli, i cili më 15 qershor të vitit 2008 nëpërmjet një adresimi në RTK, kishte shpallur të mbyllur veprimtarinë e saj. /qik/