Pano, “çamarroku” i dashuruar me futbollin
Panajot Pano nuk jeton më. Futbollit shqiptar i iku një tjerër legjendë e madhe. Si dikur, Loro Boriçi, Refik Resmja, Skënder Halili, Enver Shehu. Pano, “çamarroku” që kishte veshur këpucët e futbollit qysh kur ishte 13 vjeç dhe i mbajti ato veshur, për 33 vjet më radhë, qysh kur e la atë në moshën 36 vjeç, është një pasuri e madhe e historisë sonë futbollistike. Jeta e tij është një histori. Por, tani është shndërruar në legjendë. Ja disa nga detajet e treguara vetë nga “futbollisti shqiptar i shekullit të kaluar”.
13 vjeç me këpucë futbolli
“E kam filluar karrierën futbollistike që në moshën 13-vjeçare, duke qëndruar me disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar si Sul Maliqati, Xhaf Merja, Gani Merja, Bert Jashari, Cuf Pelingu e shumë të tjerë. Si të gjithë fëmijët, kalonim orë të tëra duke luajtur futboll me moshatarët e mi të rrugës “Fortuzi”. Aty shikonim ata që luanin futboll dhe që na dhanë edhe ne seriozitetin e duhur për lojën”
Ushtari i Partizanit, jetoi një ëndërr
“Në fund të vitit 1959, unë shkoj ushtar dhe nuk iki direkt te Partizani, po te Komiteti i Sigurimit, dhe më pas në Marinë. Sepse te Komiteti i Sigurimit erdhi Petrit Dumja, që ka bërë namin për Partizanin dhe futbollin shqiptar. Në janar të vitit 1960, rikthehem te Partizani dhe na erdhi një ftesë për t’i kthyer nderin Forvestit të Berlinit. Karriera ime te Partizani ishte një ëndërr, sepse ai klub të ofronte gjithcka. Partizani i merrte lojtarët, por ata aty transformoheshin, ktheheshim menjëherë në idhuj…”
36 vjeç, ndeshja e lamtumirës
“Në moshën 36-vjeçare, kam bërë ndeshjen time të lamtumirës dhe aty jam ndjerë keq. M’u duk sikur mbaroi çdo gjë. Por, në fakt, vazhdova disa kohë si trajner. Kam drejtuar ekipin e Butrintit, u riktheva te Partizani, te Shpresa, më pas si trajner i dytë te skuadra e parë. Momenti më i bukur i imi ka qenë kur i bëra golin Danimarkës, vesha fanellën e ekipit kombëtar me emblemë. Kam edhe momente jashtëzakonisht jo të mira kur kam humbur gol duke e çuar topin në rrjetë, kam goditur topin, i cili ka shkuar jashtë këtej nga kodrat te sahati, me ndeshjen kundër Torinos në “Qemal Stafa”.
Rebeka e bukur i rrëmbeu i zëmrës
Ka qenë një kryespecialist sporti, një ish-sportist i gjithanshëm, Petrit Qëndro, ai që bashkoi të pakapshmin Pano me Rebekën e bukur. Vitet treguan se Rebeka shpalosi në familje më shumë një amvisë të mirë se të bukur. Ajo që na ka bërë më shumë përshtypje te familja “Pano” është se ata të katër, Panajoti, Rebeka, Ledio dhe Nertila, e kanë një veti të përbashkët: ndershmërinë dhe personalitetin familjar e shoqëror! Panajoti, sapo ishte fejuar në dimrin e famshëm të dhjetorit të 1967-tës. Për gati 3 javë ka menduar vetëm për nderin e kombëtares së Shqipërisë, që ishte shkatërruar në Gjermani, 6-0. Rebeka edhe pse vetëm 17 vjeç, e ka “ushqyer” me sensin e besimit. 3 javë pas barazimit historik 0-0 me Gjermaninë Perëndimore, natën e Vitit të Ri, bëjnë ceremoninë e martesës. Edhe pse tipa të ndryshëm, mbi 40 vjet shumë pranë njëri-tjetrit, tregojnë një fat të dyanshëm.
Nuk takoi vetëm Enver Hoxhën
“Unë të them të drejtën kam pasur lidhje me shumë politikanë në atë kohë, anëtarët e byrosë që kanë qenë atëherë, me përjashtim të Enver Hoxhës, që nuk e kam takuar asnjëherë, por me të gjithë të tjerët si Ramiz Alia, Petrit Dume, Beqir Balluku, Adil, Çarçani e shumë të tjerë jam takuar shpesh, sepse ato vinin te klubi “Partizani” dhe luanin tenis. Ne shkonim dhe i shikonim, ndërsa ata na përkrahnin në të gjitha mënyrat për rritjen e cilësisë sportive në futboll”
“Nuk më munguan vlerësimet”
Unë them se në qoftë se do të isha jashtë shtetit dhe të luaja futboll mund të kisha një vlerësim ndryshe nga ç’jam sot, por vlerësimet e mia gjatë gjithë karrierës sime sportive, pavarësisht nga regjimi i tillë që ishte, nuk kanë munguar. Më kanë vlerësuar duke më dhënë sadisfaksionin shpirtëror dhe moral, jo nga ana materiale, por nga ana shpirtërore. Një ndikim të madh kanë dhënë shokët e mi që kam luajtur krahas tyre, duke më ndihmuar shumë. Njëkohësisht edhe sportdashësit më kanë dhënë dorë në rritjen e cilësisë sime sportive, që sot e kësaj dite, ku kam 35 vjet që e kam lënë futbollin, të gjithë ato që më njohin kanë një respekt dhe një dashamirësi për t’u takuar me mua.
“Ledio, Platinia i Shqipërisë”
“Kur më lindi djali të them të drejtën unë kisha dëshirë që ta bëja një futbollist të mirë dhe me të vërtetë u bë, por disa kushte jo të tijat, por të drejtuesve të ekipeve kombëtare, që kanë qenë në atë kohë, nuk e kanë vlerësuar aq sa e vlerësoi një trajner i ardhur në ekipin kombëtar, Agron Sula, i cili e futi në ekipin kombëtar dhe luajti me Austrinë në eleminatoret e Kampionatit Europian dhe Botëror. Me ikjen e tij nga Partizani në Greqi në vitet ‘92-‘93 ai u quajt Platinia i dytë dhe e cilësuan specialistët grekë dhe gazetarët grekë një nga futbollistët më të mirë të Greqisë në vitet ‘93 deri në vitin 2001.
Tifoz i Interit dhe Gjermanisë
Unë me klube tifoz jam me Interin, kurse me ekipe kombëtare jam Gjermaninë sepse e kam pas simpatizuar shumë dhe të them të drejtën kam debutuar dhe kam qenë konkurrent kryesor kundër ekipeve gjermane si në Kupën e Kampioneve, ashtu edhe me dy ndeshjet e tjera, që ne luajtëm me ekipin kombëtar në Dortmund dhe në Tiranë dhe më kanë vlerësuar në mënyrë të veçantë specialistët gjermanë.
“Më këmbë nga Korça”
“Njëherë ishte një ndëshkim i vogël në atë kohë me Petrit Dumen. Ne luajtëm në Korçë dhe loja ishte 1-0 për korçarët, Petrit Dume ikën nga tribuna qendrore e stadiumit të Korçës. U bë një korne në favorin tonë në minutat e fundit dhe Refik Resmja gjuan nga kornja dhe shënon golin e barazimit. Loja mbaroi 1-1. Petrit Dumja nuk e kishte dëgjuar këtë aksion, ku ne barazuam dhe udhëzoi shefin e klubit që të ecnim me këmbë nga Korça në Maliq për ndëshkim. Pa dalë nga Korça dalin ushtarët e Gardës së Korçës dhe na thanë që të hipnim të gjithë në makinë sepse ka urdhëruar Petrit Dumja dhe të shkojmë në klub”
350 gola, 115 ndërkombëtarë
“Përafërsisht unë mund t’ju jap një shifër, kam shënuar gjatë gjithë karrierës sime sportive rreth 350 gola, kam bërë 115 ndeshje ndërkombëtare, 24 i kam bërë me emblemë dhe 91 i kam bërë me ekipe klubesh; miqësore, kupë kampionesh, kupë kupash, ndeshje miqësore në Kinë. Unë kam shënuar gola shumë të mirë, por kam edhe gola të humbur. Golin e parë që kam shënuar, ku kam vendosur dhe emblemën e kampionit të kategorisë së parë në Shqipëri te Partizani në vitet 1951, ku unë shënova golin e vetëm dhe u ndërpre loja e futbollit që u quajt atëherë “golden goal”. Kam një gol tjetër me emblemën e ekipit kombëtar në vitet 64 me Danimarkën, për herë të parë që merrte pjesë ekipi ynë kombëtar në eleminatoret e Kupës së Kombeve këtu në stadiumin “Qemal Stafa”. Golat që më kanë mbetur në mendje janë 2: Ai i minutës së 222-të dhe goli me Danimarkën. Me Torinon kam një kujtim të hidhur. Kur ishin minutat e para të lojës, topi, pasi kishte kaluar mbrojtjen dhe portierin, po shkonte ngadalë drejt portës. Unë po shoqëroja topin dhe në vijën e 5-metërshit e godas për të shënuar gol. Por, në vend që ta shtyja topin në rrjetë më portën e boshatisur, e çoj te Sahati i Tiranës.
MUZIKA
“Çfarë muzike dëgjoj? Popullore dhe muzikë të lehtë të kohës sonë. Këtë muzikën që bëhet sot nuk e duroj dot. Dëgjoj shpesh edhe muzikën greke, sepse më pëlqen shumë”
Panajot Pano, pasaporta
Emri: Panajot
Atësia: Thoma
Mbiemri: Pano
Datëlindja: 7 mars 1939
Vendlindja: Durrës
Tituj sportiv:
“Mjeshtër sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nder i Sportit Shqiptar”
Klubet: SK Tirana, Partizani, Dinamo
Aktivizuar: Me të rinjtë e Tiranës 1955-57, Puna e Tiranës 1957-59 (të rritur), Partizani 1960-75, Dinamo 1962 (për Kupën Ballkanike)
Trofe:
1957 - Kampion me të rinjtë e “17 Nëntorit”.
1960 - Golashënuesi më i mirë i kampionatit.
1961 - Kampion kombëtar me Partizanin, fitues i Kupës së Shqipërisë, golashënuesi më i mirë i kampionatit.
1963 - Kampion kombëtar me Partizanin, medalje argjendi në turneun e Ushtrive të Vendeve Socialiste.
1964 - Kampion kombëtar me Partizanin, fitues i Kupës së Shqipërisë.
1966 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.
1967 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.
1970 - Fitues i Kupës së Shqipërisë, fitues i Kupës Ballkanike midis klubeve, golashënuesi më i mirë i kampionatit.
1971 - Kampion kombëtar me Partizanin.
1973 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.
5 herë fitues i anketës të “Sporti Shqiptar” (10 sportistët më të mirë të vitit)
2000 - Fitues i anketës “Sportisti më i mirë i shekullit”, fitues i anketës së gazetës “Sporti Shqiptar”: “11-shi më i mirë i historisë së futbollit shqiptar”, “11-shi më i mirë i 50 dhe i 55 kampionateve kombëtare”.
1979 - Kampion kombëtar, si zv/trajner me Partizanin.
1980 - Fitues i Kupës së Shqipërisë, si zv/trajner i Partizanit.
1981 - Kampion kombëtar, si zv/trajner me Partizanin.
Dekoratat:
Urdhri i Artë “Mjeshtër i Madh”, Urdhër Pune i klasit 2, Urdhri “Naim Frashëri i klasit 3,2,1″, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, medalja “Urdhri i Meritës” për 100-vjetorin e FIFA-s.
I zgjedhur:
Më 1999 president nderi i Partizanit, më 2002 president nderi i FSHF-së.
- Hobi: muzika popullore shqiptare dhe ajo greke.
- Idhulli: si futbollist, Pele; si skuadër, Gjermania.
- Karriera si futbollist: e filloi në vitin 1954 dhe e mbylli në maj 1975.
- Trajnerët që e kanë stërvitur: A.Karapici (në moshën 14-15 vjeçare), Xh.Demneri (16-17), M.Alla (18-19), R.Spahiu (trajneri i parë te Partizani), L.Boriçi, R.Resmja, K.Kraja, B.Birçe, I.Shuke, Z.Konçi (trajneri i parë me kombëtaren), Bolanesku (rumun).
- Ndeshja e parë zyrtare me të rinjtë e Tiranës: ndaj të rinjve të Peshkopisë, 18 korrik 1956, për kampionatin kombëtar.
- Goli i parë i karrierës me të rinjtë: ndaj Kukësit, 5 gusht 1956
- Ndeshja e parë me të rriturit: ndaj Besës, në vitin 1957, për Kupën e Shqipërisë, me fanellën e 17 Nëntorit (Tiranës).
- Ndeshja e parë në kampionatin kombëtar: me 17 Nëntorin, më 4 maj 1958, ndaj Dinamos (4-0). Pano shënon dhe golin e tij të parë.
- Ndeshja e fundit, si futbollist i 17 Nëntorit: ndaj Besës, më 9 dhjetor 1959 (4-2), ku ka shënuar golin e fundit për bardheblutë.
- Ndeshja e parë me Partizanin: më 14 shkurt 1960, ndaj Dinamos (3-0), ku dhe ka shënuar golin e tij të parë për të kuqtë.
- Ndeshja e parë ndërkombëtare me Tiranën: ndaj skuadrës sovjetike “Krahët e Sovjetëve” (Kujbishev), në vitin 1957.
- Ndeshje si përforcues me 17 Nëntorin: më 6 mars 1960, ndaj rusëve të Admiraltejec; më 28 gusht 1969, ndaj Standart Liezh (Belgjikë)
- Ndeshja e parë ndërkombëtare me Partizanin: mars 1960, ndaj Nojebrandenburg (e fituar 3-2), në turneun në RDGJ.
- Goli i parë i karrierës: ndaj Besës, më 1957, për Kupën e Shqipërisë.
- Goli i parë në takime ndërkombëtare: ndaj Moldava të Kishinjevit, në turneun e 17 Nëntorit në BS, në vitin 1958.
- Goli që i ka sjellë më shumë kënaqësi e sukses: ai i shënuar ndaj Dinamos, në vitin 1961, në finalen me dy ndeshje, që zgjati 242 minuta. Ky gol e shpalli Partizanin kampion, titulli i parë dhe për Panon.
- Goli më i bukur: i shënuar ndaj kombëtares së Danimarkës (1963).
- Më tepër gola në një ndeshje: 4 ndaj Vllaznisë së Shkodrës; në takimet ndërkombëtare, ka shënuar 3 gola ndaj Forverts të Berlinit, në turneun e Vietnamit.
- Hidhërimi më i madh: kur, nga një distancë fare pranë portës së boshatisur, nuk mundi të shënojë ndaj Torinos, në një ndeshje për Kupën e Kupave, në “Qemal Stafa” (1968)
- Gola nga distanca mbi 20 metra: ndaj Olimpikes bullgare, Vakerit, Advidabergut, ndërsa ndaj Vllaznisë mbetet ndër më të bukurit.
- Penallti të humbura: vetëm tri gjuajtje nga 11-metërshi.
- I përjashtuar nga gjyqtari: dy herë.
- Ndeshja e lamtumirës: Partizani -17 Nëntori, më 23 maj të vitit 1975.
- Titulli i parë kampion kombëtar: me Partizanin, në vitin 1961.
- Kupa e parë e Shqipërisë e fituar: me Partizanin, në vitin 1961.
- Numri i fanellës: 10.
- Ndeshja e parë me ekipin kombëtar: më 24 qershor 1963, me Danimarkën në Kopenhagen (0-4).
- Ndeshja e fundit me kombëtaren: më 7 nëntor 1973, ndaj përfaqësuese kineze.
- Më shumë gola në takime ndërkombëtare: në vitin 1963 (11).
- Gjithsej gola në takimet ndërkombëtare: 34
- Skuadra e huaj, me të cilën është ndeshur më tepër: me Fenerbahçen 7 herë (3 herë më 1961 me Partizanin, 2 herë me Dinamon në vitin 1962 dhe 2 herë me Partizanin në vitin 1967).
Rama: “Pano, burim frymëzimi”
Kreu i PS-së, Edi Rama ka dërguar një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit, Panajot Pano. “Ishte një nga ata njerëz që vinë rrallë në historinë e një vendi dhe me talentin mbresëlënës që shfaqi ndër vite ai ka merituar një vend të pazëvendësueshëm në historinë e sportit shqiptar. Loja e tij, e denjë për ekipet më të mëdha të kohës, u kthye në një burim frymëzimi, hareje e krenarie për të gjithë shqiptarët në një epokë kur arsyet për t’u gëzuar e për t’u ndjerë krenar ishin aq të pakta”, thuhet në mesazhin e Ramës.
Berisha: “Ditë zie Kombëtare”
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në mbledhjen e kabinetit të tij ka shpallur ditë zie kombëtare ditën e zhvillimit të ceremonialit funebër në nderim të legjendës shqiptare të futbollit, Panajot Pano, të ndarë nga jeta pas një goditje kardiake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në moshën 71-vjeçare. Trupi i pajetë i Panos ndodhet për momentin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që shpenzimet e sjelljes së tij i ka marrë përsipër Federata Shqiptare e Futbollit.
Lesi: “Stadiumi kombëtar të quhet “Panajot Pano”
Zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë e Sporteve, Nikoll Lesi, hodhi idenë që stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” të marrë emrin “Panajot Pano”. Lesi do t’i përgatisë një propozim zyrtar qeverisë së kryeministrit Berisha. Në fakt, Qemal Stafa, emrin e të cilit e mban për gati 60 vjet stadiumi, mbetet një figurë e respektuar e së kaluarës komuniste, por nuk ka aspak lidhje me sportin, kështu që emri “Panajot Pano”, mund të gjente pëlqimin e të gjithë krahëve politikë por dhe tifozëve shqiptarë. Ndoshta ndeshja e parë ndërkombëtare e Shqipërisë, ajo kundër Irlandës së Veriut, më 3 mars do të luhet në stadiumin kombëtar “Panajot Pano”.
15 mijë tifozë nderojnë Panon
Futbollistët e Gramozit dhe Real Madrid nderuan figurën e Panajot Panos, duke u përkulur me respekt pranë një banderole gjigante me emrin e Jotit, e pasi vendosën lule, më pas mbajtën një minutë heshtje në nderim të figurës së legjendës shqiptare të futbollit. Më shumë se 15 mijë tifozë në “Qemal Stafa”, përfshirë disa prej personalite të larta të vendit nderuan legjendën e Partizanit dhe Kombëtares, i cili u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas një ataku kardiak.
21 Janar 2010