E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në PD, nis beteja për postet e tre sekretarëve

Kandidaturat favorite për kupolën drejtuese të selisë blu
Eljona Ballhysa
Ashtu siç është premtuar, me kapërcimin e situatës emergjente në Shkodër dhe Lezhë, pritet që kryeministri Berisha të thërrasë së shpejti mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Në bazë të Statutit të PD-së, në këtë mbledhje pritet të zgjidhen anëtarët e rinj të Kryesisë Qendrore të partisë si dhe sekretarët e rinj. Do të jetë kryetari i partisë, Berisha, ai që do t’u propozojë anëtarëve të Këshillit Kombëtar listën me emrat e kandidatëve si për anëtarë të Kryesisë, ashtu dhe për postet e sekretarëve. Ndërkaq, burimet njoftojnë se që tani ka nisur beteja për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për postet me rëndësi në PD. Gjithashtu, sipas burimeve, pritet që të shtohen dy poste të rëndësishme, ai i sekretarit Politik dhe ai i sekretarit Elektoral. Gara do të jetë e fortë edhe për postin e sekretarit të Përgjithshëm, që është një ndër postet më të rëndësishme në selinë blu. Deputetët e PD-së bëjnë të ditur se nuk do të ketë ndryshim emrash të nënkryetarëve të PD-së. Pra do të vazhdojnë të mbajnë këto poste Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, ndërsa për postet e tjera lista e kandidatëve potencialë është e gjatë.
Kandidatët
Një ndër postet me rëndësi në PD është ai i sekretarit të Përgjithshëm, që drejtohet prej vitesh nga Ridvan Bode. Sipas burimeve, kandidatë potencialë për këtë post janë Sokol Olldashi, Arben Imami dhe sekretari aktual, Bode, që do të vazhdojë garën për ta mbajtur këtë post. Dy kandidatët e tjerë rivalë, Olldashi dhe Imami, njihen si njerëz të afërt të kryeministrit Berisha dhe që gëzojnë mbështetje të Këshillit Kombëtar. Madje, Arben Imami zyrtarizoi publikisht kandidaturën e tij për këtë post fill pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007, atëherë kur Berisha deklaroi se do të bënte ndryshime në kupolën drejtuese të partisë. Burimet në PD bëjnë të ditur se një tjetër ndryshim i pritshëm do të jetë krijimi i postit të sekretarit Politik. Për këtë post kandidaturat kryesore janë ajo e Lulzim Bashës, Genc Pollos, si dhe kandidatura e Olldashit në rast se nuk zgjidhet sekretar i Përgjithshëm. Basha dhe Olldashi njihen si personalitete me peshë në PD dhe që gëzojnë mbështetjen e liderit të selisë blu. Përsa i përket Pollos mendohet se ai do të marrë një post në selinë blu në bazë të marrëveshjes së bërë me kryetarin e PD-së për shkrirjen e PDR-së. Megjithatë, pritet që të jenë zgjedhjet që do të zhvillohen në Këshillin Kombëtar për të parë se cili do të jetë fituesi. Një tjetër post i rëndësishëm që do të shtohet në PD është ai i sekretarit Elektoral. Dy janë kandidatët potencialë për këtë post; Ilir Rusmali, që mban postin e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, si dhe Oerd Bylykbashi, që mban postin e shefit të Kabinetit të kryeministrit Berisha. Këta dy kandidatë njihen si njohës të mirë të ligjit elektoral. Madje që të dy kanë marrë pjesë në hartimin e Kodit Zgjedhor, ndaj gara pritet të zhvillohet mes tyre. Sipas burimeve, pritet të ketë ndryshime dhe në postin e sekretarit për Marrëdhëniet me Publikun. Pak kohë më parë Berisha komandoi në këtë post ministrin aktual të Kulturës, Ferdinand Xhaferrin, por, sipas burimeve, pritet që të futet një figurë femërore në këtë post. Më favorite janë zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, si dhe deputetja Raimonda Bulku.
Ndryshimet
Kohët e fundit kryeministri Berisha ka konfirmuar se zgjedhjet për postet drejtuese të PD-së do të sjellin surpriza. Ai ka bërë të ditur se do të ketë shtim të posteve të Sekretariatit, pra zgjerimin e Sekretariatit dhe emra të rinj në krye të PD-së. Këtë deklaratë kreu i qeverisë e bëri në fund të vitit të kaluar, gjatë një konference për shtyp nga selia e PD-së. Ai njoftoi gjithashtu se do ta mblidhte Këshillin Kombëtar javën e dytë të muajit janar, por kjo mbledhje u shty për shkak të situatës emergjente të shkaktuar nga përmbytjet në disa komuna të Shkodrës dhe Lezhës. Burimet nga Grupi Parlamentar i PD-së kanë bërë të ditur për gazetën se kjo mbledhje pritet të zhvillohet së shpejti.

Neni 41
Kompetencat e Këshillit Kombëtar

2- a) Këshilli Kombëtar merr të gjitha vendimet që mund të kërkojnë rrethanat kur Kuvendi Kombëtar nuk është i mbledhur dhe kur ato nuk janë parashikuar në këtë statut si e drejtë vetëm e Kuvendit.
b) Këshilli Kombëtar zgjedh ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi, me votim të fshehtë, njëzetepesë anëtarët e Kryesisë së partisë nga një listë ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që kërkohen.
c) Këshilli Kombëtar zgjedh/shkarkon ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi Kombëtar, me votim të fshehtë:
- sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët funksionalë;
- nënkryetarët e partisë;
- kryetarin e Bordit Financiar të Partisë;
- komisionin Qendror të Apelimit.

Postet dhe kandidaturat

Sekretar i Përgjithshëm
Ridvan Bode
Sokol Olldashi
Arben Imami

Sekretar Politik
Lulzim Basha
Sokol Olldashi
Genc Pollo

Sekretar Elektoral
Ilir Rusmali
Oerd Bylykbashi

Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun
Ferdinand Xhaferraj
Majlinda Bregu
Raimonda Bulku

Kryeministri Berisha takon investitorë kanadezë

Kryeministri Berisha priti dje një grup investitorësh kanadezë, të sjellë në Shqipëri nga Tie Domi, hokeisti i famshëm kanadez me origjinë shqiptare. Ky grup përbëhej nga përfaqësues të tri kompanive të mëdha, nga “SmartCentres”, nga “Wall Mart”, si dhe drejtori i grupit të financimit të energjisë të National Bank, Sandy Edmonstone. Përfaqësuesit e këtyre kompanive i shprehën kryeministrit Berisha përgëzimet dhe simpatinë e tyre për arritjet e Shqipërisë në këto vitet e fundit. Ata thanë se e shohin Shqipërinë si vendin më tërheqës dhe të mundshëm për implementimin e projekteve të tyre në fushën e nxjerrjes dhe kërkimit të naftës, të mineraleve dhe përpunimit të tyre, të projekteve turistike, të sipërmarrjeve të shitjes me shumicë si grupi “Wall Mart”, si dhe hapjen e një dege të bankës për të financuar projektet ekzistuese dhe projektet e reja që ata do të prezantojnë. Kryeministri Berisha, pasi i falënderoi për interesin dhe vizitën në Shqipëri, u paraqiti panoramën e potencialeve investuese në Shqipëri në fushat që ata përmendën, si dhe në fusha të tjera që ai solli në qendër të vëmendjes. Investimet në turizëm, qendra tregtare si “Wall Mart”, në hidrokarbure dhe në energji, janë fusha që po zhvillohen me shpejtësi dhe pjesë e prioriteteve të zhvillimit. Krahas këtyre, kryeministri sugjeroi edhe parqet industriale dhe portet. Ai i garantoi ata se qeveria e tij do t’i mbështesë thellësisht në zbatimin e këtyre projekteve sipas ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare.

22 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›