Meta takon homologun sllovak, Lajçak
Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje homologun e tij sllovak, Miroslav Lajçak. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, ministri i Sllovakisë u shpreh se nuk do të ketë ndryshim të qëndrimit përsa i përket njohjes së shtetit të ri të Kosovës. Ai bëri të ditur se ky qëndron nuk vjen si pasojë e ndonjë armiqësie me Kosovën, por vetëm për shkak të respektimit të së drejtës ndërkombëtare. “Ne kemi misionin tonë në Prishtinë, kemi gjithashtu trupat tona në KFOR, ashtu si dhe në misionin EULEX. Por lutemi që të kuptoni drejt që qëndrimi ynë nuk duhet parë si qëndrim armiqësor ndaj Kosovës, por si një qëndrim që ka të bëjë me respektimin e të drejtës dhe parimeve ndërkombëtare”,- është shprehur ministri Lajçak. Më tej dy homologët përshëndetën hapjen e ambasadave në të dy shtet. “Vizita e z. Lajçak si ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë është shumë e rëndësishme sepse ajo hap një kapitull të ri të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Sllovakisë duke përuruar dhe Ambasadën e re të Sllovakisë nesër në Tiranë. Ne kemi rënë dakord për t’i zhvilluar me një intensitet të ri marrëdhëniet tona mes dy vendeve, të cilat janë të shkëlqyera nga pikëpamja politike”, - është shprehur ministri Meta. Dy ministrat shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin si dhe për të vazhduar mbështetjen sa më konkrete për Shqipërinë edhe në drejtim të procesit tonë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe njëkohësisht për liberalizimin e vizave.
22 Janar 2010