E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë përcakton kolegjet që do të gjykojnë për shpifje Sali Berishën

Dje u hodh shorti për padinë e Aneta Ramës dhe Koço Kokëdhimës
Laureta Rryçi

Paditë për shpifje ndaj kryeministrit Sali Berisha u pranuan dje për t’u shqyrtuar nga Gjykata e Lartë. Kështu merr udhë odiseja ligjore që do të përballë për herë të parë një kryeministër me deklaratat e tij, të cilat pretendohen se kanë qenë fyese dhe denigruese. Sipas një njoftimi zyrtar, Gjykata e Lartë bën me dije se ditën e djeshme, me anë të shortit, u përcaktuan dy kolegjet që do të shqyrtojnë dy paditë për shpifje ndaj kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Në njoftim thuhej se ditën e djeshme, në Gjykatën e Lartë u zhvillua hedhja e shortit për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar ne Gjykatën e Lartë, në ngarkim të të akuzuarit Sali Berisha dhe i dëmtuar akuzues Aneta Rama. Pas hedhjes së shortit me gogla, midis të gjithë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, sipas procedurave të përcaktuara, trupa gjyqësore përbëhet si më poshtë vijon: Evjeni Sinoimeri, relatore e çështjes, Ardian Nuni, Ardian Dvorani, Andi Çeliku dhe Irma Bala si gjyqtarë. Gjithashtu, po ditën e djeshme, në Gjykatën e Lartë u zhvillua hedhja e shortit për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar ne Gjykatën e Lartë në ngarkim të të akuzuarit Sali Berisha dhe i dëmtuar akuzues Koço Kokëdhima. Pas hedhjes së shortit me gogla, sipas procedurave të përcaktuara, trupa gjyqësore përbëhet si më poshtë vijon: Guxim Zenelaj, relator i çështjes, Majlinda Andrea, Irma Bala, Gani Dizdari dhe Besnik Imeraj si gjyqtarë. Tani mbetet veç që kolegjet të njihen me paditë dhe shumë shpjet të përcaktojnë datën kur do të nisin proceset.
Paditë
Paditë ndaj kryeministrit u regjistruan në dhjetor të vitit të kaluar në kryesekretarinë e Gjykatës së Lartë. Kryeministri Berisha, me akuzat e tij publike, përveç kreut të opozitës, Edi Rama, nuk kurseu edhe biznesmenë të njohur të vendit tonë. Fushatës së tij të akuzave iu përgjigjen të gjithë me padi në Gjykatën e Lartë apo me kallëzime penale në Prokurorinë e Përgjithshme, duke thënë se nuk kanë ndër mend të durojnë sharjet dhe fyerjet e kryeministrit të vendit që vetëm akuzon pa prova duke dëmtuar kështu imazhin e tyre.
Padia e Aneta Ramës
Aneta Rama, nëna e kreut të PS-së, Edi Rama, paditi në Gjykatën e Lartë kryeministrin Sali Berisha për shpifje në dëm të saj. Në kërkesën për gjykim drejtuar kryetares së Gjykatës së Lartë, ajo bashkëngjiti edhe fjalimin e Berishës, mbajtur në Kuvend më datë 26 nëntor, si dhe kopjet e gazetave të përditshme, ku janë botuar akuzat e kryeministrit ndaj familjes Rama. Zonja Rama sqaronte në kërkesë-padi se deklarata e Berishës se Edi Rama është kuruar për 10 vjet nga sëmundja e skizofrenisë është një shpifje dhe trillim. Nga kërkesë-padia zonja Rama e quan shpifje dhe thënie të pavërteta deklaratat e Berishës, sipas të cilit, djali i saj, Edi Rama, e ka dëbuar duke e nxjerrë nga shtëpia në rrugë me rrobat e gjumit. “Në cilësinë e personit të dëmtuar nga vepra penale e kryer, me anën e kësaj kërkese për gjykim shpreh vullnetin tim për të gjykuar shtetasin Sali Ram Berisha, me detyrë kryeministër i Republikës së Shqipërisë, pasi botërisht ka konsumuar në dëmin tim veprën penale të shpifjes, parashikuar nga Neni 120/2 i Kodit Penal”, - thuhet në fillim të kërkesë-padisë që do të përfaqësohet nga avokatët Arian Salati dhe Eno Bushi. E ëma e kreut të PS-së deklaron se deklarimet e kryeministrit nga foltorja e Parlamentit kanë qëllim diskreditimin publikisht jo vetëm të kundërshtarit të tij politik, por edhe të njerëzve të afërt të familjes.
Padia e Kokëdhimës
Padia ka për objekt shpërblimin e dëmit moral që i është shkaktuar Koço Kokëdhimës dhe publikimin nga kryeministri Berisha të përgënjeshtrimeve përkatëse. Po sipas avokatit, brenda pak ditësh 2K Group do t’i drejtohet edhe Prokurorisë nëpërmjet depozitimit të një kallëzimi penal në lidhje me veprat penale të fyerjes, shpifjes dhe shpërdorimit të detyrës, të kryera në mënyrë të përsëritur nga kryeministri i Republikës. “Politika represive ndaj 2K Group është përshkallëzuar sidomos pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, kur kryeministri Berisha, i palumtur me fakte të ndryshme që mediat e kësaj kompanie e në veçanti gazeta “Shekulli” kanë raportuar për publikun, ka shtuar presionin ndaj botuesit Kokëdhima duke arritur deri në atë pikë sa nga foltorja e Parlamentit apo nga karrigia kryeministrore, ka lëshuar një lum shpifjesh e fyerjesh ndaj Kokëdhimës dhe disa biznesmenëve të tjerë, të cilët gjithashtu zotërojnë aksione në media të ndryshme”, – thuhet në padi.

Reagimi i Berishës pas dy padive

Pas dy padive për shpifje të depozituara në Gjykatën e Lartë nga Aneta Rama, nëna e kreut të Partisë Socialiste dhe një biznesmen, kryeministri Berisha e cilëson këtë si të drejtë ligjore, por nuk ka saktësuar nëse gjykata hap padi ndaj tij. “Cilido ka akses të lirë në gjykatat e vendit, cilido ka akses të lirë për të paditur në gjykata këdo, përfshi këtu edhe kryeministrin. Kjo është dëshmi e një standardi demokratik”, - është shprehur Berisha.

Përcaktohet kolegji për padinë e Asllan Dogjanit

Asllan Dogjani dorëzoi në muajin dhjetor të vitit të kaluar në Gjykatën e Lartë padi ndaj deputetit të Partisë Demokratike për qarkun e Kukësit, Fatos Hoxha. Burime zyrtare nga kjo gjykatë shpjeguan se padia është depozituar në kryesekretarinë e kësaj gjykate dhe ka si objekt dëmshpërblimin për shpifje që pretendohet se është bërë ndaj Dogjanit. Padia e depozituar është bërë në Gjykatën e Lartë për shkak të imunitetit që ka pala e paditur, në rastin konkret, deputeti i PD-së, Fatos Hoxha. Pasi të gjithë personat me imunitet gjykohen vetëm në Gjykatën e Lartë. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se padia do t’u nënshtrohet procedurave të zakonshme. Fillimisht do të kalojë me short, ku do të përcaktohet dhe kolegji civil që do të shqyrtojë kërkesën e Dogjanit. Kjo është padia e dytë që Dogjani bën brenda një kohe të shkurtër. Padinë e parë e depozitoi në Gjykatën e Tiranës ndaj ish-presidentit Alfred Moisiut. Edhe në këtë rast padia kishte si objekt “shpifjen”. Sipas një njoftimi zyrtar nga Gjykata e Lartë thuhet se ditën e djeshme u zhvillua hedhja e shortit për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar ne Gjykatën e Lartë në ngarkim të të akuzuarit Fatos Hoxha dhe i dëmtuar akuzues Asllan Dogjani. Pas hedhjes së shortit me gogla, sipas procedurave të përcaktuara, trupa gjyqësore përbëhet si më poshtë vijon: Mirela Fana, relatore e çështjes, Besnik Imeraj, Irma Bala, Evelina Qirjako dhe Aleksandër Muskaj si gjyqtarë.

22 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›