Topalli: “Sllovakia mbështet Shqipërinë në proceset integruese”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mori dje garanci të plotë për mbështetjen e Sllovakisë ndaj Shqipërisë në përshpejtimin e proceseve integruese në Bashkimin Europian, gjatë takimit që pati dje me ministrin e Punëve të Jashtme, Miroslav Lajcak.
“E kam vizituar Shqipërinë në vitin 2005 dhe progresi që shoh sot është mbresëlënës”, - tha zoti Lajcak. Në këtë kontekst, Sllovakia e konsideron të rëndësishëm intensifikimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit me Shqipërinë me një tregues konkret të vizitës sime - përurimi i Ambasadës sllovake në Tiranë. Gjithashtu, ai vlerësoi Shqipërinë si faktor konstruktiv në rajon. Ministri sllovak u shpreh mjaft i impresionuar nga ecuria dinamike në plotësimin e Pyetësorit nga autoritetet shqiptare. Duke u ndalur në bojkotin e opozitës në Parlament, ministri Sllovak vuri në dukje se vota demokratike ka krijuar institucionin e OSBE/ODHIR-it si vlerësues të zgjedhjeve, si gjykim përfundimtar sipas të cilit zgjedhjet e fundit në Shqipëri përmbushën standardet e kërkuara. Zoti Lajcak e ftoi kryetaren e Kuvendit për të vizituar Sllovakinë, ndërkohë që zonja Topalli i kërkoi zotit Lajcak t’i përcjellë nga ana e saj të njëjtën ftesë homologut të saj sllovak.
Suedia dhe Sllovenia hapin së shpejti ambasadat e tyre në Tiranë
Ditën e djeshme qeveria suedeze vendosi hapjen e Ambasadës në Shqipëri, duke e ngritur rangun e Zyrës Përfaqësuese suedeze, që aktualisht funksionon prej disa vitesh në vendin tonë në atë të një ambasade. E njëjta gjë u vendos edhe në lidhje me Kosovën.
Sipas agjencisë së lajmeve suedeze, Suedia do të mbyllë 6 ambasada dhe do të hapë 10 të reja. Do të mbyllen ambasadat suedeze në Bratislavë, Dakar, Dublin, Lubjanë, Luksemburg dhe Sofia brenda këtij viti. Në të njëjtën kohë, prezenca diplomatike e Suedisë do të forcohet në Kaukaz dhe në Ballkan, duke ngritur nivelin e përfaqësimit aktual në Prishtinë, Tbilisi (Gjeorgji), Chisinau (Moldavi) dhe në Tiranë. Siç bëhet e ditur edhe në komunikatën përkatëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme, qeveria suedeze synon të forcojë prezencën e saj në Ballkan e Kaukaz nëpërmjet ngritjes së nivelit të përfaqësimit nga zyrat ekzistuese në atë të ambasadës. Hapja e Ambasadës Suedeze në vendin tonë do t’i japë një impuls të ri e do të ndikojë në intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona si në kuadrin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të përpjekjeve tona për integrim europian. Ambasadat suedeze që do të mbyllen gjatë këtij viti janë ato të Sllovakisë, Irlandës, Sllovenisë, Luksemburgut, Bullgarisë dhe Senegalit.
“Ngritja e nivelit të zyrave tona përfaqësuese në ambasada është pjesë e procesit të mbështetjes për implementimin e ndihmës sonë për zhvillim ndaj atyre vendeve me të cilat kemi marrëveshje afatgjata bashkëpunimi për zhvillim. Një prezencë më e fortë në vend është shumë e rëndësishme për implementimin e një bashkëpunimi për zhvillim me cilësi të lartë e të orientuar nga rezultatet”,- tha ministrja e Bashkëpunimit për Zhvillim, znj. Gunila Karlson. Me vendimin e sotëm, deri në fund të këtij viti, Suedia, në harkun kohor të 20 vjetëve (1990-2010) do të ketë hapur 40 misione të reja dhe mbyllur 54 të tilla.
22 Janar 2010