E Diel, 1 Nëntor 2026

Kroacia heq vizat për Shqipërinë për periudhën 1 korrik deri më 31 tetor 2010



Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim ambasadorin e Kroacisë, Darko Javorski. Gjatë këtij takimi, ambasadori kroat i bëri me dije kryeministrit Berisha vendimin e qeverisë kroate për të hequr vizat për qytetarët shqiptarë për periudhën 1 korrik-31 tetor 2010, si një shprehje e marrëdhënieve të ngushta të partneritetit dhe miqësisë që ekzistojnë midis të dy vendeve, të cilat u anëtarësuan së bashku në NATO dhe kanë ndërtuar një gamë të gjerë bashkëpunimi të shkëlqyer në të gjitha fushat në dobi të së mirës së ndërsjellë të të dy popujve. “Ky vendim vjen edhe si rezultat i rezultateve të larta të qeverisë shqiptare në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave me BE-në, çka ka bërë të mundur që kontrolli i kufijve dhe siguria e dokumenteve në Shqipëri të jetë në standardet më të larta në Europë. Ne presim që së shpejti shqiptarët të marrin lajmin e mirë për lëvizjen pa viza në BE”, - u shpreh ambasadori kroat Javorski. Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin kroat për këtë lajm të madh e të gëzuar që ai u sjell sot shqiptarëve dhe përmes ambasadorit Javorski i përcolli kryeministrit të Kroacisë, Kosor, falënderimet dhe përshëndetjet më të përzemërta. Në takim u theksua se vendimi për heqjen e vizave, për sezonin turistik, i cili u mor pas insistimit të qeverisë shqiptare, do t’i sjellë një shërbim të madh qytetarëve shqiptarë që dëshirojnë të kalojnë pushimet në Kroaci apo të zhvillojnë aktivitete të ndryshme tregtare me Kroacinë, por në veçanti ai lehtëson jashtëzakonisht emigrantët shqiptarë që dëshirojnë të kalojnë pushimet në Shqipëri me familjet e tyre dhe u duhet për këtë të lëvizin përmes Kroacisë.

Topalli takon kreun e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, shprehu dhimbjen për opozitën që nuk u bashkua me punën e Kuvendit për lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Duke u ndalur në situatën politike, Topalli ka theksuar se një opozitë e përgjegjshme është një garanci për qeverisje të mirë, në shërbim të interesave publike. Më pas, kryetarja e Kuvendit e njohu Dacin me punën e madhe të Kuvendit gjatë këtij viti. “Kuvendi ka diskutuar e miratuar mbi 170 ligje, marrëveshje, ku disa prej tyre kanë qenë të lidhura direkt me liberalizimin e vizave dhe të tjerat në mbështetje të ekonomisë dhe zhvillimit të vendit”, - tha Topalli. Daci shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për angazhimin e jashtëzakonshëm të diplomacisë parlamentare dhe kryetares së Kuvendit, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. “Falënderojmë Shqipërinë, Parlamentin dhe të gjitha institucionet për mbështetjen që na kanë dhënë dhe që ne e dëshirojmë në vijimësi, për procesin shtetformues të Kosovës, pasi ende ky vend ka mungesa në kapacitetet institucionale”, - u shpreh Daci.

19 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›