Beqja: “Në vitin 2009 humbën vendet e punës 20 mijë veta”
Partia Socialiste shpreh shqetësimin e saj të vazhdueshëm për krizën ekonomike në vend, por qeveria, nga ana e saj, nuk publikon të dhëna zyrtare për të fshehur me çdo kusht rënien e ekonomisë. Deputeti Ilir Beqja deklaroi dje se në vitin 2009 humbën vendet e punës 20 mijë veta. Ndërsa Partia Demokratike, sot në pushtet, gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit premtoi se do të hapte 160 mijë vende pune dhe do të shumëfishonte investimet në infrastrukturë dhe në energjetikë.
Deklarata
“Të enjten, në sallën e Kuvendit dhe dje në zyrën e tij, ministri i Financave u përpoq të ndërpresë memecërinë disamujore të qeverisë shqiptare për të vërtetat e ekonomisë së vendit. Ka disa muaj që çfarë ndodh me ekonominë e vendit mbahet e fshehur, ashtu siç mbahet i fshehur në kutitë e Ruzhdies vullneti i shqiptarëve”, - u shpreh Beqja, duke shtuar se “mbahet e fshehur, sepse, pasi i vodhi votat, qeveria e Sali Berishës po vjedh edhe në xhepat e shqiptarëve, pa dalluar askënd: sipërmarrës të madh, të mesëm apo biznes të vogël, fermer apo shitës ambulant, punëtorë apo të papunë, invalid apo pensionist. Ministri i Financave mund t’i ketë të dhënat për ekonominë shqiptare në mendjen e tij apo në celularin e tij, por ja çfarë kanë edhe sot sajtet zyrtare të institucioneve qeveritare të Sali Berishës”.
Të dhënat
Deputeti Beqja deklaroi se të dhënat zyrtare tregojnë se në muajt e parë të këtij viti importi i makinerive dhe pajisjeve ka rënë me ¼, importi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve ka rënë me 1/5, kredia afatmesme për investime në linja prodhimi ka rënë. Sipas tij, është shtuar vetëm kredia për kapital qarkullues, pra për të paguar paga e detyrimeve, sepse Ministri i Financave e shkeli edhe premtimin publik se deri në fund të shkurtit do të likuidonte të gjitha detyrimet ndaj sipërmarrësve që punojnë në punë publike. Ndërsa kreditë e këqija kanë arritur 11.5% të portofolit të kredive. “Qeveria, pa dyshim që i di këto të dhëna, por i fsheh qëllimisht. Kurajën për t’i fshehur e gjen te fakti se është e ngritur mbi vota të vjedhura dhe të trafikuara. Motivet për t’i fshehur i burojnë nga qëllimi i vetëm për të vazhduar të vjedhë shqiptarët. Është ky pushtet, i ngritur mbi një sistem kryekëput të manipuluar, që sot po i lë shqiptarët pa punë, me më pak të ardhura dhe me më pak shpresë”, - u shpreh Beqja.
Papunësia
Humbën vendet e punës 20 mijë veta gjatë vitit 2009
Importi
Importi i makinerive dhe pajisjeve ka rënë me ¼
Importi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve ka rënë me 1/5
5 Prill 2010