Gjata: “Fletët e votimit të digjen, duhet të zbatohet ligji”
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, deklaroi për një media se KQZ-ja duhet të zbatojë ligjin dhe të djegë fletët e votimeve, pavarësisht debatit politik. “Ligji e ka që menjëherë sapo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall rezultatin përfundimtar, bëhet ky veprim. Pra, më 1 gusht është shpallur rezultati përfundimtar, më 2 gusht mund ta kishte kryer këtë veprim institucioni. Kemi ligjin, kemi dhe debatin politik. Kë do të zbatojmë? A do të themi nuk zbatojmë ligjin sepse ka debat politik? Deri kur do të shkojmë kështu?" - pyet Gjata. Ndërsa po afrojnë zgjedhjet e ardhshme vendore, Gjata thotë se ka nevojë për ndryshime në Kodin Zgjedhor përsa u përket kompetencave të drejtuesve vendorë të administrimit të asaj pjese të procesit që lidhet me numërimin e votave. “Shikoni te kompetenca e drejtuesve vendorë për të bërë listat. Ka drejtues, kryetarë komunash apo bashkish që do të rikandidojnë, por ai bën listat e zonës ku do të rikandidojë vetë. Ai cakton qendrat e votimit, adresat, ndan votuesit nëpër qendra. Ka shumë në dorë. Këtë veprim nuk e kontrollon, nuk e ke në Kod. Askush nuk e kontrollon. Nuk mund të shkosh në gjykatë. Qytetari, vetëm nëse nuk e ka emrin në listë ankohet administrativisht ose shkon në gjykatë. Ne i rikthehemi tani çështjes së administrimit. Unë propozoj një nëpunës shtetëror, i kontrolluar nga komisionerët partiakë. Ky ka përgjegjësinë kryesore. Ky përgjigjet dhe ke ku e drejton gishtin e përgjegjësisë”, - tha Gjata.
5 Prill 2010