Eshtrat e Dajtit, ekspertët mjeko-ligjorë ndërtojnë 14 skelete
Përfundon faza e parë për sistemimin e skeleteve të kufomave të gjetura në shkurt
Thimi Samarxhiu
TIRANË – Përfundon ndërtimi i skeleteve të gjetura në malin e Dajtit. Shefi i Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj, bën të ditur për gazetën “Albania” se tashmë ka përfunduar ky proces, nga ku ka rezultuar se janë 14 skelete, dhe jo 19, siç u përfol fillimisht. Analizat e detajuara gjenetike pritet të bëhen në ditët në vijim, por, sipas specialistëve, identifikimi i kufomave do të kërkojë kohë. Në ndihmë të ekspertëve është ngritur edhe një Task-Forcë me urdhër të kryeministrit, e cila drejtohet nga zëvendësministri i Brendshëm. Burime për gazetën bëjnë të ditur se skeletet e viktimave dyshohet se nuk u përkasin personave që janë dënuar për motive politike.
Verifikimet
Prej gati disa javësh, ekspertët e Mjekësisë Ligjore janë marrë me rindërtimin e eshtrave të gjetura në malin e Dajtit, ku më në fund janë ndërtuar të 14 skeletet e gjetura. Shefi i këtij institucioni bën të ditur se kanë bashkëpunuar me Prokurorinë e Tiranës duke shkëmbyer të dhëna lidhur me këto eshtra, por deri tani nuk ka asnjë të dhënë konkrete lidhur me identitetin dhe periudhën se kur mund të jenë ekzekutuar ata. ”Ende nuk kemi përcaktuar seksin dhe kohën kur mund të jenë vrarë 14 personat, pasi dekompozimi i kockave na pengon që të kryejmë në një kohë të shpejtë analizat për përcaktimin e këtyre të dhënave”, – u shpreh Ymaj. Ndër të tjera ai ka shtuar se pritet që së shpejti të kryhen dhe analizat e ADN-së, me shpresën se mund të arrihet të zbardhet identiteti i 14 skeleteve të gjetur pak kohë më parë në një varr masiv në Malin e Dajtit.
Edhe pse fillimisht u fol gjatë se eshtrat e gjetura mund të ishin të viktimave të komunizmit, burime jozyrtare bëjnë të ditur se dyshohet që këto eshtra të jenë të të dënuarve ordinerë, të cilët janë ekzekutuar në këtë zonë. Por kjo gjë pritet të marrë një përgjigje zyrtare pas identifikimit të këtyre eshtrave.
Zbulimi i eshtrave
Në shkurt të këtij viti është zbuluar në periferi të Tiranës një varr masiv, ku fillimisht u përfol se ishin eshtrat e 19 personave, por pas verifikimeve rezultoi se ishin 14. Skeletet dolën në dritë ndërsa një burrë kërkonte eshtrat e të atit. Varret ishin të gjitha në një luginë pranë kodrave të Dajtit. Bëhet fjalë për një prej zonave të pabanuara të Linzës, në rrëzë të malit të Dajtit, ku u nxorën në dritë brenda pak ditësh 14 skelete njerëzish, që mendohet se u përkasin të pushkatuarve gjatë kohës së komunizmit. Kjo hipotezë vërtetohet edhe nga njeriu që i zbuloi këto eshtra, i cili për një kohë të gjatë studioi zonën dhe bëri gërmime private në kërkim të varrit të të atit, të pushkatuar në vitin 1975. Menjëherë pas këtij zbulimi pati reagime nga institucione të shumta, duke filluar që nga Këshilli i Ministrave e deri te Shoqata e të Përndjekurve. Lidhur me zbulimin e këtij varri, kryeministri Sali Berisha konfirmoi gjetjen e eshtrave të 14 personave, të cilët, sipas shefit të qeverisë, janë ekzekutuar nga regjimi komunist me nga një plumb në kokë. “Janë gjetur trupat e 14 të ekzekutuarve. Nuk dihet koha. Janë të grupit të deputetëve të ekzekutuar pa gjyq, apo të ngjarjeve të ambasadave? Këtë do ta thonë analizat”, - tha kryeministri Berisha në atë kohë. Ai shpjegoi gjithashtu se deri tani rezulton se viktimat janë ekzekutuar me plumb pas koke. Berisha u shpreh se do të ngrihet një grup Task-Force për të hetuar lidhur me identitetin e këtyre viktimave, si dhe kohën e vrasjes së tyre. Menjëherë pas kësaj deklarate, Prokuroria e Tiranës ngriti një grup hetimor për të mbledhur të dhëna lidhur me këto eshtra. Pas nxjerrjes së tyre, për të cilat fillimisht u mendua se ishin më shumë, u dërguan për ekspertizë pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, e cila vetëm disa ditë më parë përfundoi ndërtimin e tyre dhe pritet që gjatë javëve të ardhshme të nisë bërjen e analizave për identifikimin e tyre.
Shoqata e të Përndjekurve reagon pas gjetjes së eshtrave
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, reagoi fill pas gjetjes së eshtrave, duke pohuar se zona e fshatit Qesarakë, ku është identifikuar varreza, njihet nga shoqata si vend ku organet e diktaturës komuniste kanë kryer ekzekutime masive ndaj kundërshtarëve të regjimit. “Kjo është një zonë, e cila është njohur prej nesh si zonë ku janë kryer ekzekutime dhe se po ky person që ka kryer kërkime në këtë zonë është i njohur prej nesh që prej kohësh kërkon eshtrat e të atit të ekzekutuar nga diktatura komuniste, si kundërshtar i regjimit", - tha Ndregjoni. Sipas tij, jo vetëm ky person, por edhe shumë njerëz të tjerë që nuk i dinë se ku i kanë të afërmit e tyre prej më tepër se 19 vitesh kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre të ekzekutuar pa gjyq. "Shoqata jonë ka kryer kërkime për gjetjen e eshtrave të njerëzve të ekzekutuar me fonde të mbledhura vullnetarisht dhe privatisht, pa asnjë ndihmë shtetërore". Ai pohoi se çështja e gjetjes së eshtrave të viktimave të komunizmit është lënë në hije nga organet shtetërore. Ndregjoni i bëri thirrje politikës shqiptare, Parlamentit dhe institucioneve shtetërore që të ndërmarrin hapa ligjorë për gjetjen e trupave të atyre që ai i quan luftëtarë të demokracisë, të vrarë nga diktatura, duke qenë se ishin kundërshtarë të regjimit.
Identifikimi i skeleteve, Komisioni i krijuar nga Bill Klinton ofron ekspertizë
Menjëherë pas publikimit të lajmit për ekzistencën e varrit masiv në malin e Dajtit dhe ngritjen e Task-Forcës nga qeveria shqiptare, ofrohet ekspertizë nga jashtë për identifikimin e kufomave. Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, i krijuar për identifikimin e viktimave të kohës së ish-Jugosllavisë nga ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, është shprehur i gatshëm për të dhënë ndihmë teknike dhe këshillim ligjor për gjetjen, zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave të kohës së komunizmit. Sipas agjencisë rajonale të lajmeve, Balkan Insight, mbetet e paqartë nëse qeveria shqiptare do ta pranojë ofertën e këtij komiteti tani që ka ngritur një task-forcë të posaçme për këtë çështje. Në një lajm të publikuar para katër ditësh, agjencia thotë se zëdhënësja e kryeministrit nuk ka pranuar që të komentojë rreth këtij propozimi.
Shqipëria nuk i ka kapacitetet e nevojshme shkencore për ta menaxhuar një proces të tillë. Një laborator për nxjerrjen e kodit gjenetik ADN nuk është ende funksional dhe i certifikuar, ndërsa arkeologët mjekoligjorë janë shumë të paktë. Komisioni ka kapacitete laboratorike për të identifikuar njëzet apo më shumë njerëz në ditë. Ndihma e tij për qeverinë shqiptare është ofruar falas. Tani pritet që qeveria të pranojë zyrtarisht ndihmën dhe të nënshkruajë marrëveshjen përkatëse, në mënyrë që të fillojë puna.
Që nga krijimi i tij, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ka bërë rreth 13 mijë identifikime përmes analizës së AND-së të skeleteve të personave të denoncuar të zhdukur nga konfliktet në Bosnjë-Hercegovinë dhe mund të ofrojë ndihmë vendimtare për të ndihmuar Shqipërinë, e cila nuk ka kushte për një ekspertizë mjeko-ligjore të specializuar.
Sipas të dhënave të shoqatave të të përndjekurve, gjatë kohës së komunizmit regjimi ka ekzekutuar 5577 burra dhe 450 gra në periudhën nga 1946 – 1991. Edhe sot e kësaj dite janë me qindra persona që kërkojnë të afërmit e tyre, të zhdukur gjatë kohës së komunizmit.
5 Prill 2010