Sheshi “Skënderbej”, nis beteja PD-PS për zgjedhjet lokale
Eljona Ballhysa
Megjithëse zgjedhjet lokale do të mbahen vitin e ardhshëm, beteja elektorale ka nisur që tani me rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”. Zgjedhjet në kryeqytet, ashtu si dhe herët e kaluara, kanë qenë përcaktuese për fitoren e njërës apo tjetrës parti. Dhe megjithëse zhvillohen zgjedhje administrative, beteja për Tiranën e kthen të gjithë procesin në një luftë të ashpër politike. Këtë herë të dyja palët kanë vendosur si mollën e sherrit për këto zgjedhje pikërisht sheshin më të madh në vend, atë “Skënderbej”. Ashtu sikurse ndodhi pak vite më parë me kryqëzimin te “Zogu i Zi”, pritet që edhe ky debat çdo ditë e më shumë të marrë përmasa të mëdha të një debati të ashpër politik. Gjatë ditës së djeshme dy ministri të kabinetit “Berisha” e kanë sulmuar ashpër fillimin e punimeve në shesh nga Bashkia e Tiranës, duke i quajtur ato të paligjshme.
Mjedisi
Kështu, Ministria e Mjedisit e ka gjobitur gjatë ditës së djeshme me 2 milionë lekë Bashkinë e Tiranës me pretendimin se nuk ka marrë leje mjedisore. Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë, e cila ka bërë të ditur se leja është marrë që më datën 20 mars 2009. “Shkresa për lejen mjedisore ndodhet në arkivin e Ministrisë së Mjedisit, me numër protokolli 2773, të datës 20 mars 2009. Konflikti i stisur ka marrë fund. Qytetarëve i duhet sheshi i shekullit të ri”, - shkruhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës. Ndërsa kryeinspektori i mjedisit, Ilir Bala, gjatë një deklarate për shtyp bëri të ditur dje se Ministria ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të punimeve në shesh, pasi Bashkia nuk ka marrë lejen mjedisore. “Kjo veprimtari, në bazë të ligjit për mbrojtjen e mjedisit, duhet të pajiset me një leje mjedisi, por aktualisht është pa leje mjedisi”, - tha kryeinspektori i mjedisit, Ilir Bala.
Kultura
Një tjetër reagim ka ardhur dje edhe nga Ministria e Kulturës. Ministri Ferdinand Xhaferri theksoi gjatë një konference për shtyp se Rama po shkel një vendim që e ka hartuar vetë në vitin 2000 kur ka qenë në postin e ministrit të Kulturës. “Theksoj se ndërhyrjet në shesh janë pa bazë ligjore dhe kundër çdo procedure. Kur ka qenë Rama ministër i këtij dikasteri ka vendosur një vendim të Këshillit të Ministrave që e shpall sheshin pjesë e Monumenteve të Kulturës, ndaj punimet po bëhen në një monument kulture që në vend të prishet, duhet të mbrohet”, - tha Xhaferri. Ai shtoi se në Këshillin Kombëtar të Restaurimit nuk është depozituar projekti i plotë i sheshit me ndryshimet e kërkuara dhe për këtë arsye ndërtimi i tij nuk ka baza ligjore. “Konkludoj se për sa kohë nuk ka një zbardhje të projektit të miratuar me ndryshimet e kërkuara nga ana e Këshillit Kombëtar të Restaurimit, projekti që po zbatohet në sheshin ‘Skënderbej’ nuk ka asnjë bazë ligjore dhe është në kundërshtim me procedurat në fuqi. Në zbatim të VKM-së Nr. 180, që shpall aksin kryesor dhe qendrën historike si ansambël monument kulture dhe të Ligjit 9048, dt.7.4.2003 ‘Për trashëgiminë kulturore’, çdo vendim i marrë nga këshillat e rregullimit të territoreve për ndërhyrje ose ndërtim në zonat e shpallura ‘Monument kulture’ ose në zonën e mbrojtur pranë një monumenti kulture, pavarësisht nga pronësia, është i pavlefshëm”, - është shprehur ministri i Kulturës.
Sheshi “Skënderbej” është kthyer në mollën e re të sherrit mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës. Rikonstruksioni i këtij sheshi është marrë përsipër nga një kredi e garantuar nga qeveria e Kuvajtit, ndërsa vlera i rikonstruksionit shkon në 4.3 milionë euro. Punimet në sheshin “Skënderbej” do të kryhen sipas projektit të hartuar nga studioja belge “51N4E”, fituese e Konkursit Ndërkombëtar që u zhvillua vitin e kaluar, ku e gjithë qendra e Tiranës pritet të pësojë një ndryshim tërësor. Por qeveria është shprehur kundër këtij projekti për shkak se në funksion në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit ndodhet ende plani francez i miratuar mbi 5 vjet më parë.
Reagimi i PS-së, Bushati: “Bashkia ka marrë leje nga Instituti i Monumenteve”
Deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, deklaroi dje se Bashkia, para se të nisë punën në sheshin qendror të Tiranës, ka marrë lejen fillimisht nga Instituti i Monumenteve. Në reagim të deklaratës së ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i cili i cilësoi procedurat e ndjekura nga Bashkia e Tiranës për sheshin “Skënderbej” në kundërshtim me ligjin, Bushati tha në një konferencë për shtyp se “qytetarët e Tiranës e kuptojnë se ky projekt transformues po tentohet të merret peng nga qeveria edhe për të larguar vëmendjen nga kriza e rëndë e keqqeverisjes”. Bushati vlerësoi më tej se “ministri Xhaferri flet fjalë të kota, pasi është një ministër i Kulturës që po ta pyesësh, nuk di ku ndodhet varri i të madhit Ismail Qemali”. Në vijim të deklaratës së tij, Bushati theksoi se “kjo është një tjetër arsye më shumë për të protestuar më 30 prill në Tiranë”.
Propozimi i Berishës: “Të hartojmë një studim që zgjidh problemin e trafikut në Tiranë”
Në seancën e fundit parlamentare, kryeministri Berisha ka mbajtur një fjalim të gjatë duke u shprehur kundër projektit të Bashkisë së Tiranës për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”. Gjatë fjalës së tij Berisha tha se projekti i Bashkisë është bërë për të favorizuar interesat e ngushta të njerëzve të afërt të kryetarit të Bashkisë. Ai e ftoi Ramën që të bashkëpunojë me qeverinë për të ndërtuar sheshin më të rëndësishëm në Shqipëri. Berisha tha se më parë duhet të hartohet një studim i hollësishëm që t’i jepet një zgjidhje afatgjate problemit të trafikut në Tiranë. Sipas Berishës, më pas duhet të shqyrtohen projektet nëse sheshi duhet të jetë një shesh për këmbësorët, apo shesh me trafik. Kryeministri theksoi se nëse vendoset për një shesh këmbësorësh, duhet të parashikohet kthimi i tregut në mënyrë që t’i jepet gjallëri sheshit. Kryeministri e cilësoi të papranueshëm projektin aktual, pasi ai nuk i jep zgjidhje problemit të trafikut në Tiranë. “Në rregull, mund ta bëjmë dhe shesh këmbësor. Por, nëse vendoset të bëhet këmbësor, ka një kusht themelor, duhet të garantosh trafikun e kryeqytetit. Si mundet që një segment të zgjidhë trafikun e gjithë qytetit që mban sheshi? Kjo është jashtë çdo logjike. Kjo është arsyeja që unë nuk mund të bëhem as autor dhe as bashkautor. Kjo i jep përgjigjen fatale trafikut të të gjithë qytetit. Qeveria do të ndihmojë në shpronësimin dhe në ndërtimin e Unazës së Vogël. Por unë them të bëjmë studimin dhe pastaj të vendosim; do të bëjmë shesh këmbësorësh, apo shesh për trafikun. Unë jam dakord që të bëhet në të dyja variantet. Por duhet të zgjidhet trafiku”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka akuzuar Bashkinë e Tiranës se ka ndryshuar projektin francez për interesa të ngushta. Berisha garantoi se do të ndihmojë financiarisht Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e sheshit duke arritur një kompromis për projektin më të mirë për qytetarët e Tiranës dhe në këtë mënyrë punimet në shesh të përfundojnë më 28 nëntor të vitit 2012, duke u dhuruar një shesh të ri shqiptarëve.
Zgjedhjet lokale, në Tiranë fiton sërish PS-ja
Megjithëse zgjedhjet lokale janë gati një vit larg, analistë të ndryshëm kanë filluar të bëjnë llogaritë e fituesve. Duke iu referuar rezultatit të dy zgjedhjeve të fundit, ekspertë të ndryshëm dhe analistë kanë dalë në konkluzionin se Partia Socialiste del fituese në Tiranë. Sipas tyre, pritet që rezultati të jetë shumë i ngushtë midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Duke dalë në këtë konkluzion ata i referohen rezultatit të koalicionit të majtë në zgjedhjet parlamentare të fundit, i cili në numër votash ishte para koalicionit të djathtë. Ndërsa në zgjedhjet e 2007-s, Rama fitoi bindshëm në kryeqytet me një diferencë prej 20 mijë votash. Megjithatë, është ende herët që ky konkluzion të merret i mirëqenë, pasi deri në zgjedhjet e ardhshme lokale pritet të rrjedhin shumë ujëra.
Bumçi reagon ndaj shembjes së shtëpive të vjetra tiranase
Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, deklaroi dje se Bashkia e Tiranës ka cenuar pronën private në disa banesa në kryqëzimin e rrugës “Bardhok Biba”, vetëm pak metra larg qendrës së kryeqytetit, duke i konsideruar ato ndërtime pa leje. Deputeti Bumçi takoi dje disa qytetarë të kësaj zone, të cilët e informuan se "3 ditë më parë Policia Ndërtimore në Bashkinë e Tiranës ka prishur rrethimet e banesave të tyre, të cilat i ka konsideruar si ndërtime pa leje". Qytetarët thanë se Policia Ndërtimore pretendon se prishja e rrethimeve të banesave të tyre bëhet për rikonstruksionin e rrugës "Urani Pano", ndërsa sipas tyre, "këto banesa nuk ndodhen në rrugën e pretenduar nga Bashkia". "Këtu bëhet fjalë për një rrugë provizore që kërkon ta marrë Bashkia në përdorim", - thanë ata. Sipas deputetit Bumçi, "Bashkia e Tiranës deklaron se i ndërmerr veprimet për rikonstruksionin e rrugës 'Urani Pano' për të shmangur kompensimin e banorëve, pasi nëse duhet t’i prishë rrethimet për ndërtimin e një rruge të re, atëherë duhet t’i kompensojë qytetarët e prekur".
Ai tha se "Kushtetuta dhe ligjet e vendit kanë procedura se si bëhet shpronësimi i një prone në funksion të një vepre publike". Duke e konsideruar këtë një akt të shëmtuar e banditesk, Bumçi siguroi banorët se "për PD-në prona është e shenjtë, ndaj dhe do të vërë në lëvizje Këshillin Bashkiak që e drejta të shkojë në vend dhe përgjegjësit para Drejtësisë".
5 Prill 2010