Beqja: Nuk po ruani të dhënat e shtetasve
Procesi i pajisjes së shtetasve me karta identiteti apo pasaporta biometrike, përveç elementeve pozitive të trumbetuara deri më tani, duket se përfaqëson një problem themelor kur vjen puna për ruajtjen e të dhënave personale. Një shqetësim i tillë është ngritur dje në Kuvendin e Shqipërisë nga deputeti socialist Ilir Beqja, i cili ka bërë të ditur se administrimi i informacionit biometrik të shtetasve shqiptarë nuk bëhet nga autoritetet publike shtetërore, por nga firma koncesionare. Për të faktuar këtë shqetësim, që është shumë serioz, pavarësisht se perceptohet si i parëndësishëm, Beqja ka sjellë si shembull procedurën e pajisjes së shtetasve me këto dokumente. “Pse i merrni shenjat e gishtërinjve dy herë, edhe kur aplikohet për kartë identiteti, edhe kur aplikohet për pasaportë biometrike?” - është shprehur ai për një çështje që ka provokuar debate me ministrin e Brendshëm Lulzim Basha. Arsyeja e këtij procedimi, sipas Beqajt, është fakti se autoriteti shtetëror, që në këtë rast është Ministria e Brendshme, nuk ka vendosur procedurë për ruajtjen e të dhënave, gjë e cila e bën të detyrueshëm identifikimin biometrik të përhershëm të shtetasve. Për më shumë që të dhënat shkojnë në mbikëqyrjen e firmës koncesionare. Përgjigjja e ministrit Basha në këtë rast ka qenë më shumë një rrëshqitje teknike, që nuk duket se sqaron deri në fund shqetësimin e ngritur. Sipas tij, marrja e shenjave të gishtërinjve bëhet njëherë nëse aplikimi është i plotë si për kartë dhe për pasaportë. Një procedurë që sërish lë të kuptojë se fondi i administrimit të të dhënave personale është ende me status teknik, por edhe juridik të paqartë. Të paktën në praktikë. Në këtë kontekst ka dhënë sqarime edhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani.
#