E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: Imuniteti i Bashës dhe Mediut vonoi 1 vit vizat

Deklarata

Loja politike me procesin e liberalizimit të vizave ka provokuar debate të ashpra në Kuvendin e Shqipërisë. Deputeti socialist, Ditmir Bushati, ka replikuar personalisht me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, ndaj të cilit nuk ka kursyer një akuzë publike që rikthen debatin për lëvizjen e lirë të shqiptarëve. “Ti je i fundit që duhet të flasësh për liberalizimin e vizave. Imuniteti yt dhe ai i kolegut tjetër, Fatmir Mediu, kanë mbajtur peng për një vit liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë”, është shprehur Bushati, duke iu drejtuar ministrit të Brendshëm. Ai u është referuar çështjeve të hapura në adresë të dy ministrave të kabinetit Berisha, çështje të cilat, sipas asaj që është shprehur deputeti socialist, kanë pasur një faturë shumë të lartë për qytetarët e Shqipërisë. Kuptimi i kësaj akuze vendos gishtin edhe mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë, po të mbahet parasysh se si Lulzim Basha, ashtu edhe Fatmir Mediu kanë pasur në ngarkim akuza shumë të rënda. Në një plan më të ngushtë, kujtesa publike rreth këtyre çështjeve është një mjet për të izoluar propagandizimin e heqjes së vizave, akti final i së cilës përkon me fundin e këtij viti. Ky qëndrim i Bushatit ka sjellë reagimin e fortë të ministrit Basha, i cili, përveç përgjigjes për diskutimin në fjalë, ka orientuar debatin drejt sulmeve të njohura personale ndaj deputetit socialist.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›