E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Kam udhëtuar për Kosovën dhe Shqipërinë

Marrin përgjigje akuzat për shpërdorim fondesh ndaj Kryetares së Kuvendit

Seanca e djeshme parlamentare ka sjellë për qytetarët edhe një përgjigje të drejtpërdrejtë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ndaj sulmeve dhe akuzave të selisë rozë për shpenzimet e saj. Të paktën sipas fjalës së mbajtur prej Topallit në këtë kuadër, duket se kostot e përfolura nga Partia Socialiste nuk përbëjnë shenja abuzimi, por dëshmi të përkushtimit të saj në diplomacinë parlamentare për çështje me rëndësi qenësore për vendin si Kosova dhe liberalizimi i vizave. “Për sa të kem forcë, fuqi, frymë dhe çdo mundësi, do të shkoj në çdo vend për të mbrojtur pavarësinë e Kosovës dhe më shumë se kurrë, sot, sot që është vendimi i gjykatës së të drejtave të njeriut. Dhe ti që s’do që Kryetarja e Kuvendit të lëvizë nga vendi për të bërë lobing. More zotërinj, ka ikur koha e izolimit të Shqipërisë! Nuk jemi në kohën e Enver Hoxhës. Jemi në kohën e globalizmit, jemi në kohën e integrimit, jemi në kohën kur më shumë se kurrë çdo shqiptar duhet të lëvizë i lirë”, deklaroi Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ky prononcim, në fakt, ka qenë vetëm pjesa e parë e përgjigjes, e cila u referohej udhëtimeve jashtë shtetit, që sipas opozitës janë të ekzagjeruara dhe me kosto të pajustifikuar. Për sa u përket akuzave të artikuluara edhe nga kreu socialist, Edi Rama, për shpërdorim fondesh, e realizuar me dietat e ardhura nga deklarimi i rezidencës zyrtare në Shkodër, Topalli ka preferuar të përgjigjet me zbulimin e praktikës që zhvillohet përditë në Parlamentin shqiptar. “Secili prej jush çdo ditë shkon në zyrat e administratës dhe thotë: Pse nuk më jep një makinë, se më duhet kjo makinë e lartë. E dini se cilat kanë qenë interesat tuaja gjatë këtij viti? Pse nuk më jepni rrogën, pse nuk më ndërroni gomat e makinës. Ky ka qenë qëndrimi juaj. Po, pra ka qenë çështje interesi e një rrote makine të dietave. Kaq e keni ju”, u shpreh Topalli.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›