E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Dritan Priftit, edhe ministri i Jashtëm Meta nën akuzë

Sulmi ndaj koalicionit përqendrohet te LSI-ja

Opozita socialiste kompleton hapësirën e aksionit të vet politik parlamentar. Edhe pse debati kryesor i djeshëm është përqendruar në projektligjin e SHISH-it, deputetët e saj nuk kanë munguar të sjellin në seancë një sërë problematikash që prekin aktualisht vendin. Duke nisur që nga buxheti e deri te çështja “Prifti”, ligjërimi politik i Partisë Socialiste dje ka rikthyer në intensitet të plotë jetën parlamentare në Shqipëri. Kështu, sulmi i nisur nga selia rozë drejt ministrit të Ekonomisë ka vijuar edhe brenda sallës, përçues kryesor i së cilës është bërë deputeti Blendi Klosi. “Pasurimi, influenca e deputetit në zonën elektorale, influenca në sistemin bankar, fshehja e biznesit duke përdorur familjarët, biznesi korruptiv ndërministror e ndërpartiak, deklarimet, arroganca, papërgjegjshmëria dhe çdo detaj i kësaj afere është një rast klasik se si në një vend mund të shkelen të gjitha ligjet për konfliktin e interesit dhe papajtueshmërinë e detyrës se deputetit dhe nuk janë pak, por plot 73 të tilla të miratuara nga ky Parlament...”, tha Klosi. Integrimi i këtij problemi politik edhe në një seancë të përfshirë nga diskutime për draftin e SHISH-it, flet se procesi i nisur nga selia rozë do të vijojë edhe në ditët në vijim. E vlerësuar më së shumti si një aksion që ndërtohet mbi pozitën delikate të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qeveri, angazhimi i PS-së në këtë kuadër ka rëndësi, pasi përkufizohet sipas termave elektoralë të Sali Berishës. Antikorrupsioni si betejë kryesore po prezantohet përmes rastit të ministrit të Ekonomisë, si një fakt që dëshmon për dështimin e qeverisë në këtë drejtim. Profili politik i përzgjedhur që PS-ja po mban aktualisht në akuzat që po adreson ndaj ekzekutivit është bërë prezent edhe në fjalën e mbajtur nga sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Arta Dade, e cila ka kritikuar punën e bërë në Ministrinë e Jashtme. “Vendi ka qeverinë më të korruptuar në 20 vjet... me një mazhorancë të ngritur mbi interesa okulte e korruptive që bëhen të dukshme përmes incidenteve me protagonistë që nga përfaqësues të diplomacisë apo punonjës të MPJ apo deri te të molepsurit edhe në qeveritë paraardhëse që u emëruan në poste fitimprurëse për të bërë sekserin për ministrin, e ngritur ura korrupsioni edhe mes ministrive”, deklaroi Dade. Përveç akuzave të kësaj natyre që janë bërë të njohura në media nga Partia Socialiste, ajo ka bërë edhe kritika për kapacitetin profesional të ministrit të Jashtëm Ilir Meta, çka formulohet ndoshta për herë të parë kaq hapur si argument politik. “Nuk po merrem me buxhetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, sepse kjo ministri ka nevojë për rikonceptim të strukturës së saj, që nga hapja e ambasadave pa motive të argumentuara e deri te shkelja flagrante e ligjit për shërbimin e jashtëm, duke e vënë diplomacinë jo në shërbim të interesave të vendit e të shtetit, por në shërbim të bosëve e shefave”, tha Dade.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›