E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i SHISH-it, Berisha shmang komentet

Vendimi pozitiv për Kosovën dikton heshtjen e Kryeministrit

“Sot është historia. Opozita është histori, por është e përditshme. Ndërsa kjo një herë në shekull ka ndodhur”, me këtë përgjigje Kryeministri Sali Berisha ka preferuar të shmangë një koment të vetin lidhur me zhvillimet e fundit parlamentare për projektligjin e Shërbimit Informativ. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës kanë shërbyer kështu si një mundësi e mirë për kreun e qeverisë për të mos marrë pjesë në debatin më të fortë të ditës. Edhe pse formalisht, rëndësia e kësaj ngjarjeje ka eklipsuar diskutimet në Shqipëri, përdorimi i saj nga Kryeministri në funksion të shmangies së ballafaqimit verbal me PS-në, pavarësisht se shumë korrekt, mbetet politik. Politik, pasi vendimi i GJND-së pritej prej kohësh, çka në logjikën e mesazheve pajtuese do të duhej që të nxiste shumicën shqiptare të mos përfshinte në punimet e Kuvendit të paktën sot draftin delikat për SHISH-in. Aq më shumë kur për këtë të fundit, opozita ka reaguar mjaft ashpër, duke arritur të flasë madje për “cenim të interesave kombëtare” dhe prishje të marrëdhënieve me aleatët strategjikë të Shqipërisë. Për pasojë, mbetja jashtë debatit për SHISH-in mbetet për t’u parë si një zgjedhje e llogaritur e Berishës, sesa pjesë e ndjeshmërisë apo emocionit të tij për vendimin e GJND-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›