Juriseviç: Si operoja të plagosurit në shpellat e Kosovës
Kur nisi të shkruante librin,ai nuk mendonte që mbi të realizohej një film. Gjatë luftës në Kosovë, në përpjekje për të shpëtuar sa më shumë jetë të pafajshmish, kirurgu Craig Juriseviç ka kaluar një eksperiencë të jashtëzakonshme. Nuk mund të bënte ndryshe, veçse të shkruante gjithçka në një libër, që çuditërisht ka tërhequr vëmendjen e kineastëve. Interes për librin “Blood in my Hands”, (“Gjak në duart e mija”) ka treguar fituesja e çmimit Oskar, Eva Orner, e cila ndërkohë është në kërkim të regjisorit e të kastit të aktorëve. Flitet që një ndër aktorët të jetë Avatari-Sam Worthington, por pjesëmarrja e tij ende nuk është konfirmuar. Autori i librit, Craig Juriseviç tregon për Radio “Dukagjinin” kohën gjatë së cilës ka shërbyer në Ushtrinë çlirimtare të Kosovës, si dhe mbi filmin që pritet të jetë gati vitin që vjen.
Z. Juriseviç ju keni qenë pjesë e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe keni marrë pjesë në luftë, cilat janë përvojat tuaja gjatë kësaj kohe?
është vështirë për mua t’i përmbledh të gjitha përvojat e mia në një intervistë. Unë iu bashkova UçK-së në Elshan, pastaj u transferuam në Krumë të Shqipërisë, ku punova për pak kohë në spitalin fushor norvegjez, i cili udhëhiqej nga Norwegian Aid Council dhe UçK-ja, pastaj jam nisur përpjetë në malin e Pashtrikut, ku krijova një ekip të vogël kirurgësh në një shpellë vetëm 300 metra larg vijës së parë të frontit dhe pozicioneve serbe.
Ju keni shkruar një libër për këto përvoja. Ky libër ka tërhequr vëmendjen e producentëve të kinemasë, apo jo?
Po është e vërtetë. është interesuar për të një producente, e cila është fituese e çmimit “Oscar”. Emri i saj është Eva Orner dhe ka fituar çmimin “Oscar” për dokumentarin më të mirë në vitin 2008, me filmin e saj “Taxi to the Darkside”. Tema e këtij dokumentari është për luftën në Afganistan, ku tregon vdekjen e të burgosurve afganë në duart e ushtarëve amerikanë. Firmën e saj e mbajnë edhe shumë filma të tjerë. Ajo do ta bëjë këtë film bazuar në librin tim. Ajo po bisedon me disa regjisorë të njohur të Hollywood-it, të cilët ende s’mund t’i bëj publikë, si dhe disa aktorë shumë të mëdhenj, të cilët me siguri do t’i bashkohen këtij filmi. Njëri prej tyre është Sam Worthington, i cili së fundmi mbylli xhirimet e filmit “Clash of the Titans” dhe ka luajtur edhe në filmat “Terminator Salvation” dhe “Avatar”. Ky i fundit është njëri ndër filmat më të suksesshëm të të gjitha kohëve. Ai ka shitur më shumë bileta se “Titaniku”.
Kur parashikoni të jetë gati ky film?
Plani është që ky film të përfundojë nga mesi i vitit 2011, ku pritet të jepet premierë gjatë verës së vitit të ardhshëm. Për momentin janë duke u zhvilluar biseda me skenaristë të ndryshëm, po ashtu skenaristë të njohur si skenaristi i filmit “Black Hawk Down”, pra janë njerëz shumë të zotë, të cilët po punojnë në këtë projekt. Pasi komuniteti shqiptar në Amerikë dhe vendet e tjera dëgjoi, për këtë lajm kemi marrë shumë oferta përpara, për financimin e filmit. Po ashtu kam oferta nga shumë kosovarë të rinj, përfshirë këtu edhe Mehmetin, me të cilin kam qenë në front, që dëshirojnë të luajnë në këtë film. Ka shumë aktorë të rinj në Kosovë, të cilët janë të gatshëm të luajnë në të.
Z. Juriseviç, si zënë fill ngjarjet në film?
Rrëfimi do të nis në Kukës, në Shqipëri sepse roli im i parë ishte si kryekirurg në spitalin e Kukësit dhe isha përgjegjës për 150 mijë refugjatë. Pastaj pas disa problemeve me zyrtarët lokal në Kukës, të cilat unë i përshkruaj në libër, ku përfshihet shumë korrupsion dhe aktivitete kriminale, u ngjita së bashku me UçK-në në mal, të ndihmoj jo vetëm ushtarët, por gjithashtu edhe refugjatët, të cilët iknin nga forcat serbe përgjatë vijës së frontit për në Shqipëri. Pra libri nis në Kukës, pastaj vazhdon me udhëtimin tim në Elshan, Krumë dhe përfundon me vijën e frontit në malin e Pashtrikut. Unë gjithashtu kam patrulluar me UçK-në, në prapavijën e forcave serbe, për të marrë kosovarët dhe ushtarët e plagosur.
Të kthehemi në Kosovë, a jeni në dijeni të zhvillimeve të fundit në të?
Unë kam luftuar në Kosovë dhe jam larguar prej saj ditën që përfundoi lufta, me shpresën se brenda disa viteve atje do të ketë paqe dhe harmoni dhe një pavarësi formale, që do të njihej nga të gjitha shtetet. Pas dhjetë vjetëve Kosova është shtet i pavarur, por një pavarësi e vështirë për shkak të rezistencës së Serbisë. Por nuk është vetëm ajo, por edhe Rusia dhe disa shtete të tjera. Por mendoj se ndoshta për dikë 10 vite janë shumë, por pas një lufte aq të tmerrshme dhjetë vjet nuk janë një kohë shumë e gjatë. Shpesh duhet të kalojë një gjeneratë për të pasur një paqe të qëndrueshme. Mendoj se pas dhjetë viteve Kosova do të jetë një shtet i rangut evropian.
Keni plane për të vizituar Kosovën?
Do të doja ta vizitoja Kosovën. Kam nevojë t’i shoh malet e Kosovës që dukeshin edhe më të bukura në kohë lufte. Më pëlqen ta vizitoj Prishtinën. Prej aty ku isha në luftë, në majën e Pashtrikut mund të shihja lagjet e Gjakovës, por për fat të keq kishte bombardime gjatë tërë kohës dhe s’kam mundur ta shoh mirë. Do të kisha dëshirë t’i vizitoja këto qytete për të parë se si janë ndërtuar dhe si njerëzit jetojnë në to. Por do të më pëlqente të vizitoj gjithashtu edhe kafenetë e Prishtinës.
Kur u nisa për në Kosovë, s’e kisha ndërmend të luftoja për njërën anë apo tjetrën, qëllimi im kryesor ishte të ndihmoja njerëzit që po vuanin dhe në atë kohë ishin refugjatët kosovarë. Ata ishin dëbuar nga shteti i tyre si kafshë, por këta njerëz meritojnë mirënjohje, edhe UçK-ja vlen të nderohet, por po ashtu edhe njerëzit e tjerë që punuan si vullnetarë, që punuan me refugjatët siç ishin shumë organizata të OKB-së dhe Kryqi i Kuq.
Juriseviç, cila është origjina e mbiemrit tuaj?
është interesant mbiemri im “Juriseviç”, është mbiemër tipik jugosllav, nëna ime është sllovene ndërsa babai Australian. Unë së pari e konsideroj veten australian, kështu që mbiemri im nuk ndikon në atë se kush jam në të vërtetë dhe çfarë bëj. Gjithmonë bënim shaka me komandantët në vijën e frontit “ja ku është një kirurg që punon për UçK-në, me mbiemrin Juriseviç”
Një “Oskar” për Orner
Eva Orner është një producente australiane, fituese e çmimit “Oscar” për dokumentarin më të mirë në vitin 2008, me filmin e saj “Taxi to the Darkside”. Dokumentari flet mbi torturat e ushtruara nga ushtarët amerikanë mbi të burgosurit në burgjet e Afganistanit, Irakut dhe Guantanamos. Fitorja e saj ishte një surprizë e vërtetë për edicionin e 80-të të çmimeve “Oskar”. “Njerëzit duhet të njohin se çfarë ndodh” u shpreh ajo gjatë tërheqjes së trofeut. Orner është fituese edhe në të tjerë festivale, si në Kanë, Australi, etj. E interesuar pas ngjarjeve të luftës tashmë po punon për filmin mbi luftën në Kosovë.