E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virusi i derrave, Shqipëria mbyll kufijtë për importin

 

zirina llambro

“Shqipëria nuk kërc-ënohet nga virusi i gripit të derrave”. Deklarata vjen nga Ministria e Bujqësisë. Zëdhënësi i këtij dikasteri Rexhep Shahu, pohoi dje për gazetën se vendi ynë është krejtësisht i sigurt. Ndërkaq, ai shtoi se ministri Jemin Gjana ka firmosur tashmë urdhrin për ndalimin e importit të mishit nga Meksika. Gjithçka pas epidemisë që ka shpërthyer atje. ”Urdhri është firmosur sot dhe është dërguar në të gjitha pikat kufitare. Është një masë për të garantuar më shumë siguri, por nga ana tjetër formale pasi ne nuk importojmë mish nga Meksika”, tha Shahu. I pyetur për shtetet e tjera në SHBA, ku është ngritur alarmi për shfaqjen e vatrave, Shahu theksoi se edhe pse nga këto vende ne importojmë, produktet e derrit janë të përjashtuara. ”Urdhri sot është nxjerrë për Meksikën, pasi aty janë verifikuara rastet, jemi në kontakt online për të marrë vendime të mëtejshme edhe për shtetet e tjera ku ka dyshime. Por ato diktohen nga Organizata Botërore e Kafshëve, e cila njofton për masat që duhet të merren”, tha Shahu. Sipas tij, ende nuk ka asnjë sinjalizim nga kjo organizatë për shfaqje të mundshme të vatrave të gripit të derrave edhe në vendet e tjera të Evropës. “Jemi në pritje të direktivave që vijnë ngas OIE”, sqaroi Shahu.
Ai nënvizoi se nga informacioni i deritanishëm, vendet e BE-së të vetmin paralajmërim që kanë bërë për shtetasit e tyre është shmangia e pushimeve në Meksikë. “E theksoj edhe njëherë që vendi ynë nuk importon dhe nuk ka importuar asnjëherë mish nga Meksika, prandaj nuk ka vend për asnjë lloj frike në popullatë”, u shpreh Shahu. Sakaq, bilanci i fundit i viktimave nga gripi i derrave në Meksikë shkon në 81 të vdekur që prej datës 13 prilli. Rreth 20 prej tyre janë konfirmuar, se kanë humbur jetën si pasojë e virusit të vdekjeprurës së derrave. Veç personave që kanë humbur jetën janë rreth 1.324 të sëmurë të tjerë nën mbikëqyrje mjekësore. Autoritetet meksikane kanë mbyllur të gjitha shkollat dhe institucionet publike në kryeqytet, në përpjekje për të luftuar e shmangur epideminë. Shfaqje të vatrave ka pasur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë infektuar 8 persona. Në një prej shkollave më në zë të paktën 75 nxënës u sëmurën me simptoma të gripit dhe janë në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›