E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunohet pllakada me emrin e Kadri Roshit

 

KUÇOVE - Dhunohet pllakada në kinemanë e qytetit të Kuçovës, mbi të cilën ishte gdhendur një emër i madh i kinematografisë shqiptare, Kadri Roshi. Persona ende të paidentifikuar e kanë thyer, duke e shkatërruar plotësisht atë. Banorët e Kuçovës janë mjaft të indinjuar karshi një ngjarje të tillë. Emri i artistit të Popullit Kadri Roshi, ishte propozuar dy vjet më parë nga intelektualët dhe banorët e këtij qyteti. Bashkia vendosi t’i hiqte kinemasë emrin që mbante deri në atë kohë, “Alen Delon” dhe ta zëvendësonte atë me emrin e artistit shqiptar, Kadri Roshi. Ndonëse kanë kaluar dy muaj nga kjo ngjarje, policia ende nuk ka mundur të identifikojë apo kapë autorin e shkatërrimit të pllakadës. Tashmë kinemaja e qytetit është pa emër. Prej disa vitesh kjo kinema nuk është funksionale por sërish banorët i kërkojnë pushtetit vendor të rivendosë një tjetër pllakadë me emrin e aktorit, rolet e të cilit janë memorizuar mjaft mirë tek mijëra kuçovarë. Gjithashtu, ata i kërkojnë policisë të marrë masa që ngjarje të tilla, që konsiderohen prej tyre si akte të shëmtuara, të mos përsëriten më. “Ne duhet ta kemi për nder që kinemaja e qytetit tonë mban një emër kaq të madh, siç është ai i Artistit të Popullit, Kadri Roshi. Bashkia duhet të marrë masa dhe të vërë një tjetër pllakadë, pasi kinemaja nuk duhet të mbetet pa emër”, shprehen intelektualë të këtij qyteti.                                  d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›