E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Projekti i qeverisë “Berisha” kosto për biznesin

22/07/2009  Vendimi i qeverisë për taksat

Selia rozë në oponencën e saj ndaj vendimeve të qeverisë “Berisha” është ndalur te projektet që lidhen me taksat. Sipas deputetit për Qarkun e Shkodrës Ilir Beqja, Partia Socialiste është kundër projekteve më të fundit të qeverisë për ngritjen e akcizës për disa mallra, si dhe rritjen indirekte të taksave doganore për mallrat që nuk vijnë nga vendet e Bashkimit Europian, e kryesisht nga Kina nëpërmjet ndryshimit të mënyrës së zhdoganimit. “Rezultatet skandaloze të mbledhjes së të ardhurave në 6 muajt e parë të vitit, shpenzimet marramendëse në funksion të fushatës zgjedhore dhe përkeqësimi i deficitit buxhetor në 6 muajt e parë të vitit rikonfirmojnë shqetësimet e ngritura prej nesh që në muajin mars, si dhe kundërshtimin që i bëmë nismës më të fundit të qeverisë që të nesërmen e bërjes publike”, - u shpreh Beqja. Sipas tij, deklaratat për ulje taksash mbeten vetëm në këtë kuadër, pasi ato rezultojnë të rritura në mënyrë indirekte. “Rritja e akcizës apo e detyrimeve doganore është një sjellje konstante e qeverisë aktuale që prej 3 vjetësh, kur Sali Berisha deklaroi uljen më të mëdha të taksave në Europë. Ka tre vjet që rriten sistematikisht taksat indirekte në Shqipëri. Këto taksa i paguan direkt konsumatori familjar shqiptar, apo i vuan indirekt sipërmarrja nga ulja e volumit të shitjes”, - vuri në dukje deputeti socialist lidhur me këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›