E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, fton publikisht në këshill Tom Dedën

22/07/2009  Ndaj prokurorit të Laçit është nisur procedim disiplinor. Ka 5 seanca që nuk parqitet

Kryeprokuroria i bën me dije se ditën e premte ora 10, Deda të paraqitet në këshill për të dëshmuar

TIRANE- Mungesa e paprecedentë e prokurorit të Laçit Tom Deda, në të pesta seancat e Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme, ka sjellë shqetësim edhe për kryeprokuroren Ina Rama, e cila tashmë ka vendosur të meret vete me këtë problem. Në një analize që ka zhvilluar me drejtuesin e kabinetit, kryetarin e Këshillit të Prokurorisë Besnik Cani si dhe me drejtorin e Drejtorisë së Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore Arben Dollapi, prokurorja e përgjithshme Ina Rama ka urdhëruar këtë të fundit që nëpërmjet një njoftimi të ftojë publikisht prokurorin Tom Deda në mbledhjen e ardhshme të këshillit që do të zhvillohet në 24 korrik. Përveç kësaj forme, numri një i akuzës shqiptare ka urdhëruar që ftesa e prokurorisë ti shkojë prokurorit të Laçit, edhe nëpërmjet rrugës postare. Aktualisht nuk dihet me saktësi nëse prokurori i pezulluar Tom Deda do të paraqitet në prokurori, në orën 10:00 të ditës së premte, por ajo që dihet tashmë është se në këtë mbledhje anëtarët e Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme pritet që të vendosin përfundimisht lidhur me fatin e prokurorit të Laçit, Tom Deda. Ftesa e prokurorisë është publikuar në faqen zyrtare të organit qendror, ku me anën e të cilës Drejtoria e Inspektimit rifton për të pestën herë prokurorin Deda, në mënyrë që ky i fundit të paraqitet në mbledhjen e këshillit dhe të japë pretendimet e tij, lidhur me shkeljet ligjore që kanë konstatuar inspektorët e prokurorisë në punën hetimore të kryer nga Tom Deda në Prokurorinë e Laçit. “Në zbatim të urdhërit të Prokurorit të Përgjithshëm nr.111 datë 15.05.2009 për fillimin e procedimit disiplinor ndaj jush, ju ftojmë se më datën 24.07.2009 ora 10 në Prokurorinë e Përgjithshme, zhvillohet mbledhja e Këshillit të Prokurorisë”- thuhet në njoftimin publik të Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërkohë që lidhur me këtë problem disa prej anëtarëve të këshillit të prokurorisë shprehen se edhe këtë radhë Tom Deda, nuk do të marrë parasysh ftesën e prokurorisë, pasi sipas tyre Deda në qoftesë do pranonte realitetit, do i kishte dhënë prej kohësh “ok” ftesës së akuzës. Që prej pezullimit nga puna, Tom Deda ka shkëputur çdo kontakt me Prokurorinë e Përgjithshme, çka ka bërë që kjo e fundit për 5 seanca rresht nuk ka mundur të dëgjojë pretendimet e Dedës, në mënyrë që më pas këshilli të marrë një vendim pozitiv apo negativ ndaj tij. Prokurori i Laçit akuzohet se gjatë punës hetimore ka kryer shumë shkelje ligjore lidhur me përcaktimin e masave të personave të arrestuar. Rasti më flagrat ku dyshohet të ketë kryer shkelje ligjore është arrestimi nga policia i dy personave, të cilët rahën priftin dhe prishën meshën në Kishën e Laçit. Të ndaluarit kanë dalë në gjykatë për masë sigurimi dhe janë liruar, pasi rezultoi se prokuroria në ngarkim të tyre, nuk kishte mbledhur prova.

Reagimi i Tom Dedës një javë më parë

“Skam kryer asnjë shkelje, duhet të më thërasë Bamir Topi”

TIRANE- Pas publikimit të lajmit në media se prokurori i Laçit Tom Deda nuk paraqitet në këshill për të dhënë pretendime lidhur me procedimin disiplinor që kishte filluar ndaj tij, në datën 13 korrik ka reaguar vetë prokurori Deda, i cili i ka quajtuar akuzat e inspektorëve të organit qendror si të pabaza dhe të qëllimshme për të dëmtuar figurën e tij. Në materialin prej 4 faqesh, prokurori pretendon se gjatë punës hetimore të kryer në Prokurorinë e Laçit, ai nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore, qoftë në hetimin e dosjeve, por edhe në përcaktimin e dënimit dhe të masave të të pandehurve. Madje Deda shkon më tej duke treguar se familja e tij, prej 40 vjetësh i ka shërbyer maksimalisht organit të akuzës, pasi edhe babai i tij, që në 1963 ka ushtruar profesionit e prokurorit. Sipas tij të drejtën ligjore për të ftuar një prokuror të dëshmojë, nuk e ka Këshilli i Prokurorisë së Përgjithsme por Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi. Mirëpo përtej deklaratave shfajësuese të Dedës, shkojnë disa prej anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët nëpërmjet një lidhje telefonike kanë thënë për gazetën “Metropol” se prokurori i sipërcituar të mos merret me deklarata në shtyp, por të paraqitet në Këshillin e Prokurorisë dhe të japë versionin e tij para kolegëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›