Beqja: Qeveria, në alarm për arkën e shtetit
12.4 miliardë lekë i mungojnë aktualisht arkës së shtetit shqiptar për shkak të performancës së keqe të administratës tatimore. Shqetësimi është ngritur dje nga deputeti socialist, Ilir Beqja, i cili ka sjellë disa shifra konkrete në mbështetje të konstatimeve të fundit të PS-së për keqmenaxhim nga ana e qeverisë. “Në pesë muajt e parë të vitit 2010, qeveria ka dështuar në mbledhjen e të ardhurave tatimore. Mungojnë 12,4 miliardë lekë në arkën e shtetit. Deficiti buxhetor në 5 muaj është 11,6 miliardë lekë dhe është tejkaluar me 55% nga programi i vetë qeverisë. është rritur me 6.3 miliardë lekë vetëm në muajin maj”, tha ndër të tjera Beqja, i cili është edhe numri dy i Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Kjo situatë, sipas tij, është e njohur edhe për Kryeministrin, i cili, në përpjekje për ta mbuluar atë, “po bën garë me gënjeshtrën”. Me një theks të veçantë është shprehur Beqja edhe për sa i përket blerjes nga Banka e Shqipërisë e hotel ‘Dajtit’ në një shifër prej 30 milionë eurosh. “Gjëja më e rëndë që ka ndodhur në Shqipëri, para dy ditësh, është fakti se Banka e Shqipërisë është edhe zyrtarisht një institucion jo më i pavarur. Pardje Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka bërë një vetëvrasje kolektive, duke noterizuar një vendim që qeveria e kishte marrë 35 ditë më parë. Ky është komenti i PS në këto momente”, përfundoi Beqja.
#