E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: Qeveria shkel ligjin, nuk indekson pensionet

Nënsekretari i Programit të Partisë Socialiste, Ilir Beqja, akuzon qeverinë se nuk zbaton detyrimin ligjor të indeksimit të pensioneve. "Po kalon gjysma e muajit maj, janë zhvilluar dy mbledhje të Këshillit të Ministrave dhe qeveria e Kryeministrit Berisha akoma nuk po kujtohet të zbatojë detyrimin ligjor të indeksimit të pensioneve në datën 1 maj", theksoi Beqja. Ai sqaroi se në bazë të nenit 61 të Ligjit 7703 dhe të pikës 11 të VKM nr. 61 datë 1 shkurt 2006, çdo datë 1 maj qeveria ka detyrimin të indeksojë pensionet. "Inflacioni në muajt mars dhe prill ka fluturuar. Buxhetet familjare të pensionistëve janë pakësuar", konstatoi ai. Në llogaritjet e opozitës nëse në korrik 2007 të ardhurat minimale mujore të pensionistëve në qytet ishin 10,410 lekë, në mars 2008 këto të ardhura ishin 9,793 lekë dhe në prill 2008 ishin 9,802 lekë. "Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij, vijojnë të jenë në Pole Position të të gjitha gjërave të mbrapshta të vendit tonë", u shpreh Beqja. Ndërsa shtoi se Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij janë në Pole Position të premtimeve të pambajtura. "Kryeministri premtoi dyfishim të pensioneve. Pasi është konsumuar 2/3 e mandatit qeverisës, për 170 mijë pensionistë të qytetit pensioni është rritur me jo më shumë se 1/4, ndërsa për 110 mijë të tjerë pensioni është rritur vetëm me 1/10", vijoi Beqja. Partia Socialiste, angazhohet që në programin e saj të ri qeverisës, do të vërë në vend të gjitha të drejtat ligjore dhe financiare të pensionistëve të nëpërkëmbura dhe përdhosura gjatë qeverisjes së Sali Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›