"G99", gati projektligji për votën e emigrantëve
Për herë të parë pas krijimit të lëvizjes, Erion Veliaj doli në konferencë për shtyp në cilësinë e përfaqësuesit të G99. Grupimi i krijuar, sqaroi ai, është një lëvizje qytetare, qëllimet e së cilës janë përfundimi i tranzicionit, sjellja e më të mirëve në shërbim të sferës publike dhe demokratizimi i demokracisë. Çështjet që G99 do të adresojë në vijim, sipas Veliajt, janë projektligji për të siguruar votën e emigrantëve, një faktor i rëndësishëm ekonomik në jetën e vendit, por që nuk është i përfaqësuar në vendim-marrjen politike. "Ky projektligj do të jetë një vështrim i detajuar mbi të gjitha detajet e nevojshme do të bënin të mundur këtë përfaqësim përfshirë alokimin e një pjese të buxhetit të shtetit për të përballuar kostot e infrastrukturës së votimit të emigrantëve", tha Veliaj. Ndërsa shtoi se çështja e dytë ku G99 synon të rikthejë dhe të përforcojë vëmendjen është siguria e jetës në Shqipëri. "Nesër përfaqësues të G99 do të vizitojnë Gërdecin dhe do të bëjnë një analizë të situatës në terren. Jemi të shqetësuar, sepse kemi parë që shteti jo vetëm u mori jetën këtyre njerëzve, por dhe po vonon t‘i ndihmojë ata për dëmet financiare", vlerësoi Veliaj. "Siguria e jetës duhet të rikthehet në qendër dhe jo në periferi të vëmendjes", tha Veliaj, duke përmendur dhe raste të tjera skandaloze që po publikohen si problemi i vajit kancerogjen. Çështja e tretë, që parashtroi Veliaj kishte të bënte me kushtet e jetesës që përfshijnë probleme sociale që janë ashpërsuar në vend si rritja e çmimeve, situata në spitale, siguria në vendet e punës etj.