Beqja: Qeveria vazhdon të shkelë legjislacionin e pensioneve
PS-ja akuzoi dje qeverinë se po mashtron pensionistët. Nënsekretari për programin në PS, Ilir Beqja, tha dhe se kanë kaluar 11 muaj të vitit 2008 dhe qeveria e Sali Berishës nuk zbaton detyrimet e përcaktuara në nenet 32 dhe 59 të ligjit nr. 7703 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë". “Mosmiratimi i koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, individual, për llogaritjen fillestare të pensioneve, cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjithë, mbi 6 mijë pensionistët e qytetit të dalë rishtas në pension prej 1 janarit 2008”, - tha ai duke shtuar se kështu, qeveria e Sali Berishës, e pashembullt në papërgjegjshmërinë e vet dhe kampione e paaftësisë, përveç se për 40 muaj nuk qe e aftë të përmirësonte nivelin e jetesës së pensionistëve, nuk u jep këtyre të fundit as çfarë u njeh ligji. “Këto fakte tregojnë se deklarimet e Sali Berishës për reformë të pensioneve janë vetëm demagogji. Partia Socialiste është e vendosur që në programin e saj të ri qeverisës, përveç propozimit të një reforme të re të pensioneve, të ofrojë zgjidhje edhe për të korrigjuar shkeljet e legjislacionit të pensioneve në dëm të pensionistëve aktuale”, - tha Beqja