Reforma zgjedhore ; Ngrihet komisioni për një ditë punë
Konferenca e Kryetarëve vendosi dje të ngrejë sërish Komisionin e Reformës Zgjedhore. Një javë pasi Presidenti i Republikës ktheu në Kuvend Kodin Zgjedhor, krerët e grupeve parlamentare, nën drejtimin e kryetares së Kuvendit i dhanë fund dilemës se cili prej komisioneve, ai i Ligjeve, apo i Reformës Zgjedhore duhet të merrte në shqyrtim dekretin e Presidentit. Bazuar tek rregullorja e Parlamentit, dekretet e Presidentit diskutohen nga komisioni përkatës dhe në këtë rasti ai i Reformës Zgjedhore, edhe pse mund të ketë vetëm një ditë punë për të rregulluar kërkesën teknike që shtrohet në dekretin e Topit. Por ndërkohë, vendimi ngjall shpresat e partive që hynë në grevë urie si një mënyrë për të kontestuar disa nene të Kodit Zgjedhor që kanë të bëjnë me funksionimin e administratës së zgjedhjeve. Kësaj i trembet mjaft edhe Partia Socialiste, ndaj kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, ka kërkuar që komisioni të shqyrtojë vetëm dekretin e Presidentit. Por neni 86, pika 2, lë shkas që socialistët të jenë të shqetësuar. Ky nen thotë se “komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit paraqet raportin e tij. Ky raport përmban mendimin e komisionit dhe, sipas rastit, edhe propozime për nene të veçanta të ligjit”. E pyetur nga gazetarët nëse do të ketë mundësinë për ndryshime të tjera në Kod, Leskaj tha se komisioni do të marrë në shqyrtim vetëm dekretin e Presidentit. “Absolutisht që nuk ka negociata të tjera për sa kohë që dekreti i Presidentit bën fjalë vetëm për një çështje dhe komisioni do të shqyrtojë këtë dekret. Pra, vendimi i Konferencës është që komisioni ngrihet për të shqyrtuar dekretin e Presidentit”, - tha ajo. Ndërsa demokratët nuk e mohojnë faktin se mund të diskutohen të tjera çështje përveç dekretit të Presidentit. Kryetari i grupit parlamentar, Astrit Patozi, tha para mediave se çështja e diskutimit të neneve të tjera të Kodit nuk i takon Konferencës së Kryetarëve, por është në vullnetin e lirë të forcave politike që do përfshihen në ritrajtimin e Kodit Elektoral. Afati i këtij komisioni që pritet të miratohet ditën e hënë në Kuvend, do të jetë sipas rregullores tetë javë, por aktorët politikë premtojnë se nuk do të shfrytëzohet e gjithë kjo kohë për të bërë ndryshimet e duhura. “Unë besoj se Komisioni i ringritur i Reformës do e trajtojë me shumë seriozitet, me shumë përgjegjësi dekretin në mënyrë që ne ta kemi sa më shpejt në seancë”, - u shpreh Patozi. Ndërsa kryetarja e grupit të PS-së, Leskaj, tha se “natyrisht është vetëm një çështje që do të shqyrtohet dhe nuk besoj se ka nevojë për tetë javë”.
LSI-ja mirëpret komisionin, do të bëjë propozime për Kodin
Lëvizja Socialiste për Integrim përshëndeti dje vendimin e Konferencës së Kryetarëve për të ringritur Komisionin e Reformës Zgjedhore për Kodin Zgjedhor. Nënkryetari i kësaj partie, Dritan Prifti, tha: “Ne na vjen shumë mirë që ka një qëndrim për rikthimin e Kodit Zgjedhor në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Sigurisht, është një vlerësim për t’u përshëndetur. Ne për këtë kemi sakrifikuar. Ne kemi sakrifikuar edhe me grevë urie që të bëjmë një kod sipas standardeve evropiane, të bëjmë një kod që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm”. Më tej, ai u shpreh se vendimi për ta kaluar sërish Kodin, pra jo për të kaluar në mënyrë të rrufeshme dekretin e Presidentit, por për ta sjellë përsëri Kodin në Komisionin e Reformës Zgjedhore, për t’i bërë përmirësimet e duhura, ka vetëm përshëndetjet dhe mbështetjen e LSI-së. “Ne do të kontribuojmë në atë komision që Kodi, i cili do të kalohet nga Parlamenti, përsëri të jetë vetëm sipas standardeve evropiane dhe të garantojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta për të gjithë”, - u shpreh Prifti.