E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dosjet” Të hënën votohen në Kuvend, PS-ja në dilemë

Vendimi i Konferencës së Kryetarëve për të futur në seancën parlamentare të ditës së hënë ligjin për dosjet i ka kapur në befasi socialistët. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, nuk mundi të jepte një përgjigje për gazetarët se çfarë vote do të japin për këtë projektligj mjaft të debatueshëm. Ajo nxitoi të ngjiste shkallët drejt zyrës së saj pa dhënë as edhe një sqarim. Ndërsa burime nga Konferenca e Kryetarëve bënë të ditur se PS-ja nuk ka dhënë ndonjë propozim të qartë për formulimin e ligjit, por e kanë konsideruar të shpejtuar miratimin e tij në seancë javën që vjen. Përsëri PS-ja kërkon kohë, ndërsa nuk ka hedhur propozime në tryezë për të prekur projektligjin në fjalë. Në mesditën e së hënës pritet që PS-ja të marrë vendimin zyrtar, edhe pse asaj nuk i mungon ideja e përgjithshme e qëndrimit politik. Burime nga PS-ja bënë të ditur se largimi i deputetëve të saj nga Komisioni i Ligjeve tregon se ajo ndahet për çështje parimore që parashikon ligji, shto dhe faktin që sipas tyre, PD-ja ka vepruar e vetme. Por debati konkret që ka nisur qysh në muajin korrik të këtij viti, ka zbardhur pak propozime të socialistëve, siç është ai që personat që kanë poste drejtuese nuk duhet t’u pritet mandati në mes, por të lihet në dorën e tyre vendimi për dorëheqje, ndërsa demokratët propozuan që të shkarkohen nga detyra. Projektligji u diskutua sërish në fillim të këtij sesioni. Por socialistët sërish shprehën rezervë duke u shprehur në parim se ishin për hapjen e dosjeve pa dhënë propozime për pikat që kontestonin. Sipas burimeve, kalimi në seancën e ditës së hënë i këtij ligji i ka vënë në dilemë socialistët. Miratimi i këtij ligji mund të prekë figura të saj, por vota kundër do të linte një shije të hidhur për opinionin për shkak të së kaluarës historike. Ndaj socialistët po bëjnë çmos të mos shprehen për mënyrën se si do votojnë, duke u shprehur për tratativa apo kthesa të minutës së fundit. Pas tri vitesh diskutime për pastërtinë e figurës, garës për të treguar se cila nga palët është më e interesuar për të nisur procesin e verifikimit të dosjeve të ish-spiunëve të shtetit, PS-ja gjendet përballë faktit të kryer, ditën e hënë pritet që mazhoranca t’i japë fund debatit dhe të nisë zbatimi i ligjit.

Patozi: Hapja e dosjeve, jo për arsye politike

Projektligji për pastërtinë e figurës do të kalojë në seancën e ditës së hënë në Parlament. Vendimi është marrë dhe nga Konferenca e Kryetarëve. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike tha se vetëm PS-ja ka shprehur kontestime për këtë vendim. “Të hënën do të kalojmë në seancë plenare projektligjin për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë i cili pati kontestimin vetëm të PS-së me pretendimin se po vjen shpejt në seancë”, - tha Patozi. Ai arsyetoi se nuk është i vërtetë pretendimi i PS-së, sepse ky është një nga ligjet më të arkivuara. “Është ligj që ka të paktën 3 vjet që pret trajtimin e tij dhe mbylljen e këtij procesi që nga korriku. Pra janë shumë muaj dhe më në fund ka ardhur dita që ky ligj të kalojë në kuvend”, - tha Patozi. Njëkohësisht, ai hodhi poshtë zërat e opozitës se ligji është një presion i mazhorancës për të përjashtuar prokurorët që kanë në dorë çështje të rëndësishme hetimore. Patozi vuri në dukje se ky është pretendim sa absurd po aq edhe keqpërdorim. “Ligji i pastërtisë së figurave prek shumë nivele të administratës dhe është një ligj që fillon me Presidentin e Republikës, majën e kreut të shtetit dhe përfundon me nivele të ulëta si drejtorët e shkollave të mesme. Tani, në rast se ka pretendime për prokurorë, hetues, gjykatës, policë apo drejtorë drejtorish, mua më duken shumë minore në raport me efektet e vërteta dhe serioze që do ketë ky ligj”, - përfundoi kryetari i grupit parlamentar demokrat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›