Beqja: Rritja e taksave, varfëron konsumatorët
Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Shkodrës, Ilir Beqja, ka kundërshtuar dje vendimin e qeverisë për rritjen e akcizës për disa mallra, pasi sipas tij ky vendim i qeverisë do të ndikojë negativisht tek konsumatorët. “Rritja e akcizës për kafenë dhe cigaren si dhe rritja indirekte e detyrimeve doganore për mallrat që nuk vijnë nga vende të Bashkimit Europian, do të ndjehet direkt te konsumatorët me të ardhura mujore të pakta. Shtrenjtimi i kafesë dhe i cigareve do t’u marrë çdo muaj pensionistëve të qytetit, gjysmën e rritjes së pensionit që përfituan në 1 maj”, është shprehur ai. Sipas tij, këtë vit qeveria është shumë prapa me mbledhjen e të ardhurave. “Në 6 muajt e parë të vitit 2009 mungojnë në arkën e shtetit 122 milionë dollarë nga mosmbledhja e të ardhurave. Mosrealizimi në mbledhjen e të ardhurave ka në çdo zë të të hyrave përveç tatimit mbi të ardhurat personale”, ka deklaruar deputeti i PS-së, Beqja.