E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolegji i jep të drejtë PS për Fierin, BE dhe SHBA: Kujdes me apelimet

 

Aristir Lumezi

Kolegji Zgjedhor i dha dje të drejtë kërkesës së socialistëve për Fierin. Ky Kolegj, në çështjen e tij të parë për këto zgjedhje i dha të drejtë PS-së për pavlefshmërinë e votave në një nga qendrat e votimit të komunës Ruzhdie. 440 vota me një vulë, vetëm atë të kryetarit të komisionit të qendrës së votimit janë quajtur të pavlefshme, ndërsa 420 prej tyre ishin vota për Partinë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit. KQZ-ja, pas një vendimi prej 4 votave pro dhe 3 kundër, kishte vendosur rivlerësimin e tyre si të vlefshme, duke i përfshirë në rezultatin e përgjithshëm të qarkut Fier, pasi në to ishte vendosur një nga vulat, ajo e kryetarit, pasi sekretari ishte larguar nga procesi i votimit. Iu deshën 5 orë shqyrtim dhe vendimmarrje nga ana e pesë anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, kryetare Dhurata Haveri, gjyqtarëve Astrit Kalaja, Tom Ndreca, Meriban Mullaj dhe Petraq Dhimitri për t’i dhënë të drejtë Partisë Socialiste. Pas administrimit të provave dhe dëgjimit të palëve, Kolegji u tërhoq për të marrë vendimin. “Në përfundim të shqyrtimit, Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, bazuar në ligjin 10019, neni 158 fraksion 3, vendosi pranimin e palës paditëse që është Partia Socialiste”, deklaroi anëtarja e Kolegjit Zgjedhor, Dhurata Haveri, duke shpallur në këtë mënyrë dhe vendimin e parë të Kolegjit Zgjedhor për këto zgjedhje. Ky vendim nuk lëviz shpërndarjen e mandateve për Fierin. Nëpërmjet avokatëve të tyre, socialistët kërkonin që nga rezultati përfundimtar i Fierit i shpallur nga KQZ-ja, të hiqeshin 440 fletë votimi të fshatit Ruzhdie. Këto fletë kishin mbetur me një vulë pas largimit të sekretarit bashkë me anëtarët e tjerë socialistë të komisionit. Sipas socialistëve, për këtë ishte bërë shkak një kërcënim me armë i një komisioneri të djathtë, për të cilin ata edhe kishin bërë kallëzim penal. Debati mes palëve në Kolegjin Zgjedhor, përfaqësuesve të PS-së, atyre të PD-së dhe KQZ-së, si palë të interesuara në këtë çështje ishte interpretimi i neneve të Kodit Zgjedhor rreth pavlefshmërisë së fletëve të votimit. Socialistët i janë referuar dje gjatë seancës gjyqësore nenit 118, pika “a” e Kodit Zgjedhor, në të cilën përcaktohet se fleta e votimit është e vlefshme kur në anën e pasme të saj figurojë dy vulat, ajo e kryetarit dhe e sekretarit. Ndërsa nga ana e tyre, si përfaqësuesit e PD-së, ashtu dhe juristja e KQZ-së, Dëshira Pasku, e mbështetën vendimin e KQZ-së, e cila i kishte cilësuar si të vlefshme 440 fletët e votimit bazuar në nenin 117 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton se “fletët e votimit konsiderohen të vlefshme kur në to nuk mungojnë vulat”. Gjithashtu, sipas demokratëve, ndaj sekretarit të komisionit të qendrës së votimit, i cili mbante dhe vulën, është bërë kallëzim penal për braktisje të detyrës siç dhe parashikohet në ligj. Komisionerët socialistë, sipas tyre, përfshi këtu sekretarin, nënkryetarin dhe një anëtar të komisionit të qendrës së votimit, ishin larguar pas një urdhri politik për të bllokuar votimin në një zonë që njihej si e djathtë. Në vendimin e saj, KQZ-ja i kishte dhënë të drejtë Partisë Demokratike, duke i cilësuar fletët me një vulë si të rregullta.

PD fiton 4 mandate, PS 3
KQZ shpall mandatet për Lezhën, dalin emrat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli dje mandatet e qarkut të Lezhës. Në mbyllje të afatit prej pesë ditësh, kohë në të cilën forcat politike mund ta ankimonin vendimin në Kolegjin Zgjedhor,  KQZ përcaktoi mandatet për dy forcat e mëdha politike. Sipas vendimit të miratuar me shtatë vota pro koalicioni “Aleanca e ndryshimit” e kryesuar nga Partia Demokratike ka marrë katër mandate, ndërsa koalicioni “Bashkimi për ndryshim”, i kryesuar nga Partia Socialiste ka fituar tre mandate. Sipas vendimit, KQZ shpalli kandidatë fitues nga lista shumëemërore e PD-së për qarkun Lezhë: Edi Palokën, Mark Markun, Paulina Hotin dhe Rajmond Hoxha. Ndërsa kandidatë fitues nga lista shumemërore e PS-së për këtë qark janë: Gjok Jaku, Gjovalin Kadeli dhe Armando Prenga. Në zgjedhjet e 28 qershorit, Partia Demokratike ka fituar 32.400 ndaj 21.992 vota që ka marrë Partia Socialiste. Në zgjedhjet e 28 Qershorit në Qarkun e Lezhës u thirrën për të votuar 148.491 zgjedhës, ndërsa funksionuan 244 qendra votimi të grupuara në 3 KZAZ. Nga llogaritja e mandateve, megjithëse PD ka rreth 11 mijë vota më shumë, nuk ka mundur të marrë mandatin e pestë. Lezha është qarku i shtatë ku KQZ përfundon procesin e mandatimeve, pas Vlorës, Dibrës, Gjirokastrës, Kukësit, Korçës dhe Elbasanit. Me 7 deputetët e rinj të mandatuar, sot nga KQZ shkon në 60 numri i të mandatuarve zyrtarisht nga Komisioni Zgjedhor.

OSBE/ODIHR
“Vlerësojmë punën e policisë”
Misioni i OSBE/ODIHR vlerëson punën e policisë së shtetit në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Trevor Harvey, ekspert i sigurisë pranë OSBE/ODIHR, në një letër dërguar dje zv.drejtorit të Përgjithshëm, Rasim Borishi, falënderon policinë e shtetit për bashkëpunimin me EOM gjatë zgjedhjeve të fundit. Sipas tij, asnjë vëzhgues nuk raportoi probleme përsa i përket uniformave blu. “Profesionalizmi dhe përkushtimi i treguar nga policia gjatë kësaj periudhe ishte i lavdërueshëm, asnjë nga vëzhguesit afat-shkurtër dhe afat-gjatë nuk bëri ndonjë raportim të dëmshëm lidhur me aktivitetin e policisë”, thuhet në letrën e Harveyt. Puna e policisë së shtetit gjatë ditës së zgjedhjeve është vlerësuar edhe nga raportet e vëzhguesve, të cilët ndoqën nga afër procesin elektoral.

“Zgjedhjet varen nga ankimimet”

ADI SHKEMBI

Ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së mbështesin Kolegjin Zgjedhor në shqyrtimin e apelimeve të partive politike, për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe nxisin forcat politike të mbyllin me sukses këtë proces për të formuar një qeveri legjitime.
Deklarata e ambasadorëve vjen në ditën kur Kolegji, instanca më e lartë ligjore që mund të vendosë për apelimet, ka zhvilluar seancën e parë për pretendimet lidhur me qarkun e Fierit.
Takimi
Pak pas seancës prej pesë orësh të trupës së Kolegjit, lidhur me një kërkesë të Partisë Socialiste për shpalljen të pavlefshme të një qendre votimi në komunën Ruzhdie, në këtë institucion mbërritën ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së. Për rreth 30 minuta diplomatët biseduan me tetë anëtarët e Kolegjit, lidhur me procesin e apelimeve që kanë nisur të shqyrtohen pas përfundimit të ankimimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, ambasadorët vlerësuan si shumë të rëndësishëm procesin zgjedhor të 28 qershorit. “Sot, Presidenca Evropiane, Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian dhe Ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Republikës Federale të Gjermanisë, dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, takuan Kolegjin Zgjedhor për të sinjalizuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe interesin për një proces elektoral të besueshëm. Këto zgjedhje janë një test i rëndësishëm i pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe gatishmërisë për të ecur përpara drejt integrimit të mëtejshëm në BE”, thuhet në njoftimin për shtyp. Ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve vlerësojnë se certifikimi i këtyre zgjedhjeve varet edhe nga procesi i ankimimeve dhe apelimeve që janë duke u zhvilluar në Kolegj. Diplomatët vunë theksin gjithashtu te ndërhyrjet dhe presionet e partive politike gjatë numërimit të votave dhe ndaj administratës zgjedhore, dhe në këtë kontekst vlerësojnë si shumë të rëndësishëm rolin e Kolegjit në mbyllje të këtij procesi. “Komuniteti ndërkombëtar vazhdon të ndjekë nga afër procesin elektoral. Vlerësimi final i zgjedhjeve të 28 Qershorit do të varet në një shkallë të konsiderueshme nga trajtimi i procesit të ankimimeve dhe apeleve. Duke pasur parasysh ndërhyrjet që u vunë re në procesin e numërimit të votave nga partitë politike dhe presione ndaj administratës zgjedhore, përfaqësuesit diplomatikë theksuan rëndësinë e rolit të Kolegjit Zgjedhor dhe të një procesi gjyqësor të pavarur”, vijon më tej deklarata për mediat. Në fund diplomatët i kanë bërë thirrje forcave politike dhe administratës zgjedhore të mbyllin me sukses këtë proces për të formuar më pas, siç e theksuan ata, një qeveri legjitime. “Përfaqësuesit diplomatikë nxitin administratën zgjedhore dhe partitë politike të punojnë konstruktivisht për një mbyllje të suksesshme të procesit zgjedhor, drejt formimit të një Qeverie legjitime”, përfundon deklarata për shtyp në mbyllje të takimit mes ambasadorëve të Bashkimit Evropian dhe SHBA me trupën prej tetë gjyqtarësh që përbëjnë Kolegjin Zgjedhor. Takimi mes diplomatëve dhe gjyqtarëve të Kolegjit bëhet në një periudhë të nxehtë, kur i gjithë fati i zgjedhjeve do të varet pikërisht nga vendimet që do të marrë trupa e gjyqtarëve gjatë këtyre dy javëve. PD e PS, por edhe PDI e Partia Konservatore, kanë apeluar vendimet e KQZ-së për sa i përket qarkut të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Fierit dhe Beratit, të cilat para se të certifikohen duhet të marrin edhe OK e gjyqtarëve të Kolegjit.

“Po pres rezultatin  përfundimtar”

Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan, i shmanget debateve mbi zgjedhjet e 28 qershorit, duke preferuar të flasë pasi të shpallet rezultati përfundimtar. “Jam duke pritur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Unë di po aq sa dini edhe ju”, u shpreh Lohan në përfundim të aktivitetit për mbylljen e projektit “Drejtimi human i burgjeve”, i organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Ky qëndrim është i njëjtë me atë të shefit për politikën e jashtme dhe të sigurisë në Bashkimin Evropian, Havier Solana, i cili deklaroi se “duhet t’u japim kohë njerëzve ta finalizojnë procesin zgjedhor. Nuk do të doja të komentoj tani. Më lejoni ta bëj këtë më vonë, kur t’i kem të gjitha detajet. Fakti që nuk mund të komentoj sot është një koment”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›