Flamurtari, polemika me ambasadën britanike në Tiranë
Presidenti i klubit të Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ka shprehur hapur zemëratën ndaj ambasadës angleze në Tiranë, e cila jo vetëm që shkaktoi vonesa në radhët e skuadrës vlonjate, por nuk pajisi me viza disa nga pjesëtarët e stafit. Kreu i Bashkisë së Vlorës e cilësoi këtë sjellje të ambasadës si të paprecedentë. “Ky veprim që kryhet ndaj klubit “Flamurtari” është i padrejtë dhe rëndon punën e skuadrës për të udhëtuar në kushtet e duhura drejt Skocisë. Stafi i përgjysmuar duhet të kryejë nga dy detyra deri në kthim. Trajneri duhet të merret jo vetëm me skemat në fushë, por edhe me ‘skemat’ në kuzhinë, - ka ironizuar Gjika. – Zëvendëstrajneri duhet të përgatitë kostumet, fizioterapisti duhet të mbajë në krah bazën materiale ...Këto janë vërtetë të papranueshme, sepse ne nuk po shkojmë për qejf atje”. Klubi vlonjat mbahet vetëm nga sponsorët. Gjika ka shfryrë mllefin më tej, teksa ka thënë: “Në përfundim të këtij kompeticioni nuk do të aplikoj asnjë herë për vizë në ambasadën britanike. Ne nuk jemi turistë që duhet të plotësojmë kaq shumë kërkesa institucionale, por një skuadër futbolli që shorti e çoi fatkeqësisht në Skoci”. Reagimi i drejtuesit dhe i klubit vlonjat është zgjeruar, pasi ky lajm ka përfunduar edhe në mediat britanike, të cilat nuk kanë vonuar të reklamojnë kaosin që ka shkaktuar ambasada britanike në Tiranë. Publikimi i këtij lajmi ka bërë xhiron e botës. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ambasadës angleze. Zyrtarë të këtij institucioni janë përgjigjur duke thënë se kanë kërkuar vetëm respektimin e rregullave dhe se nuk kanë pasur kurrfarë qëllimi që të pengojnë, apo të vështirësojnë punën e klubit të Flamurtarit. “Ne kemi disa rregulla strikte dhe të qarta, të cilat duhet të respektohen nga të gjithë”, ishte reagimi i ambasadës angleze për mediat britanike.