E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRRTRSH jep lejet edhe për 3 fabrika çimentoje

 

Fabiola Çela

Hapet drita jeshile për ndërtimin e tre fabrikave çimentoje. Në mbledhjen e djeshme të KRRTRSH-së janë miratuar studimet urbanistike për sheshe ndërtimi për disa fabrika çimentoje, investime me vlerë rreth 1 miliard euro. Gjatë mbledhjes së djeshme të KRRTRSH-së, kreu i qeverisë nuk ka lënë pa iu përgjigjur edhe akuzave të ngritura nga opozita.
Vendimet
KRRTRSH-ja ka miratuar dje disa studime urbanistike për sheshe ndërtimi për fabrika çimentoje. “Nevojat e vendit për çimento janë shumë të mëdha. Ndaj, janë shumë të mirëpritura investimet në industrinë e çimentos dhe industrinë e materialeve të ndërtimit në tërësi”, u shpreh Kryeministri Berisha. Një kriter themelor për këto investime është mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit. “Ka një kriter themelor, që është mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit. Meqenëse grupe dhe organizata të shoqërisë civile që merren me problemet e mjedisit kanë shprehur shqetësime për potencialin e mundshëm ndotës të kësaj industrie, ne do t’i miratojmë këto sheshe, por kushti për ndërtimin e tyre dhe për kapacitetet e tyre do të përcaktohet nga rezultati i studimit të efektit kumulativ të saj, e cila shtrihet nga Fushë-Kruja në Bushat”, tha ai. Gjithashtu, KRRTRSH-ja miratoi dje edhe një seri detyrash projektimi për planin e përgjithshëm rregullues të disa qyteteve të vendit dhe disa studime urbanistike për zonat turistike. Por gjatë mbledhjes së djeshme të KRRTRSH-së, kreu i qeverisë i është përgjigjur akuzave dhe deklaratave të kreut të selisë rozë të bëra një ditë pas mbledhjes së fundit të KRRTRSH-së. “Kriteret e mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit dhe jo anti-globalizmi do të jenë përcaktuese për të gjitha vendimmarrjet e ardhshme. Edhe një herë dua të denoncoj me forcën më të madhe anti-globalizmin si një transfigurim i doktrinës së vjetër marksiste-leniniste, e cila, fatkeqësisht, në Shqipëri është ngulitur dhe mishëruar në një grup të vogël eksponentësh të së majtës shqiptare, të cilët nuk mbrojnë aspak interesa të majta, por mbrojnë kryekëput interesa të mafies. Ky është realiteti, ndaj nuk kam ndërmend të përfill dhe as të dëgjoj anti-globalizmin e tyre, sepse ai, në vetvete, është një armik i mjedisit”, u shpreh dje kryeministri. Berisha i quajti të papërgjegjshme deklaratat e Ramës, se në Europë nuk ndërtohen termocentrale. “Zotëria doli dhe në mënyrën më të papërgjegjshme u deklaroi shqiptarëve se TEC-et me qymyr nuk ndërtohen më kurrkund në Evropë, ndonëse ato janë në rikthim të fuqishëm. Po ndërtohen tre të tillë në Itali, tre në Gjermani dhe për ironi të fatit, ditën që ai deklaronte se këto TEC-e nuk ndërtohen më askund në Evropë, nga Banka Botërore u vendos të ndërtohet një nga TEC-et më të mëdhenj në rajonin e Kosovës”, deklaroi ai.

Vendimet e miratuara në KRRTRSH

Shesh dhe leje ndërtimi për fabrikë çimentoje, me investitor General Cement Albania (GCA), në qarkun e Lezhës.

Studim urbanistik dhe shesh i ndërtimit të objektit “Hidrocentral Rrapun 1 dhe Rrapun 2”, komuna Librazhd–Qendër, qarku Elbasan.

Stadium urbanistik dhe shesh ndërtimi për objektin “Fabrika e Çimentos – Drojë”, Mamurras.

Studim urbanistik dhe shesh ndërtimi për fabrikë çimentoje në komunën Bushat, qarku Shkodër.

Studim urbanistik dhe shesh ndërtimi për objektin “Kompleks industrial për prodhimin e çimentos dhe tullave të lehtësuara në Fushë-Krujë dhe Nikël”, me investitor “GENER 2”.

Studim urbanistik pjesor dhe sheshi i ndërtimit të objektit “Kompleks sportiv” në Budëll, Bubq, në qarkun Durrës.

Plani i përgjithshëm rregullues Voskopojë.

Detyra e projektimit për Planin e Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Cërrikut.

Detyra e projektimit për Planin e Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Përrenjasit.

Detyra e projektimit për studimin urbanistik pjesor të kodrës “Krasta e Madhe”, Elbasan.

Detyra e projektimit për hartimin e planit të përgjithshëm rregullues të bashkisë Gramsh.

Detyra e projektimit për planin e përgjithshëm rregullues të qytetit të Librazhdit.

Detyra e projektimit për planin e përgjithshëm rregullues të qytetit të Belshit.

Detyra e projektimit për studimin urbanistik të komunës Bushat në qarkun e Shkodrës. Studimi urbanistik i qendrës së komunës Bushat, zonës industriale gjatë autostradës Tiranë-Shkodër dhe rrugës kryqëzimi Vau i Dejës-Mjedë, si dhe vijat kufizuese të 14 fshatrave të kësaj komune.

Detyra e projektimit për hartimin e studimit rajonal dhe mjedisor të rajonit që përfshin bashkinë Vorë, komunën Prezë dhe komunën Bërxullë.

Masterplani i bashkisë Vorë, detyra e projektimit për planin e përgjithshëm rregullues të bashkisë Vorë, plani rregullues i bashkisë Vorë.

Studimi urbanistik përgjatë rrugës së Rinasit, me sipërfaqe të përgjithshme 234.40 ha.

Studim urbanistik i zonës turistike të Gjirit të Lalzit.

Studim urbanistik pjesor në territorin me sipërfaqe 74.3 ha, në jugperëndim të liqenit të Farkës (pjesë e studimit rajonal mjedisor).

Leje për shesh ndërtimi për objektin “Zonë Shërbimesh” (pikë karburanti, zyra, hotel, godinë polifunksionale etj.), me sipërfaqe 1.4 ha, brenda studimit përgjatë rrugës së Rinasit.

Leje sheshi dhe leje ndërtimi për “Godinë 4 kate”, në zbatim të studimit pjesor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›