E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënder Zogu: Mbreti i vlerësonte shumë gratë

 

Alma Mile

Prej disa muajsh Skënder Zogu është ulur të shkruajë jetën e tij. Si nipi i Mbretit Zog I, ai ka shumë për të treguar. Ishte vetëm 6 vjeç kur u largua nga Shqipëria dhe adoleshent, kur mbeti jetim dhe u rrit nga Mbreti dhe Mbretëresha Geraldinë. Në muajin prill, ai erdhi në Shqipëri për të festuar ditëlindjen e djalit të Mbretit Zog I, Lekës. Teksa bisedonte për përkthimin në shqip të librit të Dr.Patrice Najbor, “Historia e Shqipërisë dhe Familjes Mbretërore të saj”, i botuar pak kohë më parë në gjuhën frënge, dikush i shtyn në mendje të shkruaj kujtimet. Më mirë se ai nuk e njeh kush historinë e Familjes Mbretërore. “Mendoj se një person si ju ka shumë për të treguar. Kujtimet tuaja nuk janë vetëm një rrëfim për jetën tuaj personale, por dëshmi që do t’i shërbejnë historisë, duke treguar më shumë detaje nga jeta juaj, në momente të caktuara të kohës së mërgimit pranë Mbretit Zog I dhe njerëzve që bashkëpunuan me këtë figurë kombëtare për të mirën e atdheut tonë”, i kishte thënë drejtorja e Shtëpisë Botues “55”. “Edhe unë e pranova këtë vlerësim”, - thotë Skënder Zogu. Ende pa përfunduar kujtimet e tij, ai tregon se ç’do përmbajë ky libër. Ai tregon për marrëdhëniet e tij me Familjen Mbretërore, me Mbretin Zog dhe në veçanti me nënën Mbretëreshë, me të cilën kishte një marrëdhënie të veçantë.

Në ç’mënyrë keni menduar t’i rrëfeheni lexuesit?
Unë mendoj se ky shkrim do të përfshijë episode të një kohe të gjatë në mërgim. Do të rrëfej për aktivitetin e Familjes Mbretërore në favor të çlirimit të popullit shqiptar nga diktatura komuniste dhe përpjekjet në favor të pavarësisë së Kosovës. Padyshim do të shënojë edhe rolin e Nënës Mbretëreshë Geraldinë, Mbretit Leka I dhe personaliteteve të ndryshme shqiptare, që ia kushtuan jetën popullit tonë. Natyrisht nuk do të mungojnë dhe disa ngjarje “humoristike” që kam jetuar në Turqi, në Egjipt, në Francë, Angli e shtete të tjera që pata rastin të vizitoj dhe që kanë lidhje me shqiptarët.
Z. Skënder po shkruani kujtimet tuaja, na tregoni pak historinë tuaj, në çfarë rrethanash u morët nën “kujdestarinë” e Mbretit Zog?
Në atë kohë përpara pushtimit fashist, unë isha i vogël dhe nipi i “preferuar” i mbretit ishte Tati Kryeziu, djali i Cena Beut dhe Princeshë Nafijes, motrës së mbretit dhe tim eti. Unë dhe motra ime Elvira, mbas vdekjes së nënës sonë, jetonim pranë Mbretit me Princeshat, pasi babai ynë u rimartua me Zonjën Hyrrijet Allaj, nga Elbasani, nëna që na rriti me shumë kujdes dhe dashuri. Më 7 prill 1939 isha 6 vjeç dhe u larguam nga atdheu me babain, nënën dhe motrat Vera, Melita dhe vëllezërit Mirgin dhe Genci për në Shkup dhe nga andej për në Stamboll, ku u bashkuam me Familjen mbretërore. Dëshira e babait tim ishte të stabilizoheshim në Turqi, ku kishte mbaruar studimet e larta për Drejtësi (Darusaffaka) dhe ku gjendeshin shumë shqiptarë nacionalistë. Mbreti me familjen u larguan për në Evropë (Francë, Angli). Gjatë kohës që qëndruam në Turqi, Mbreti me mundësitë e tij na ndihmoi për të përballuar jetesën dhe mbas vdekjes së babait tonë, në 1944, na mori pranë tij në Egjipt, në Aleksandri në vitin 1947.
Çfarë kujtoni më së shumti prej Mbretit Zog, si ishte personaliteti i tij?
Mbreti Zog I si person, nuk i ishte dedikuar vetëm interesave kombëtare, por mbante me dinjitet familjen dhe ndihmonte edhe kundërshtarët e tij që erdhën në Egjipt. Ai na shtiu në zemër shqiptarizmin, duke na mësuar t’i shërbejmë interesave kombëtare me shumë sakrifica, për bashkimin e shqiptarëve që vepronin kundër regjimit sllavo-komunist dhe në favor të së drejtave legjitime të shqiptarëve të Çamërisë. Një nga cilësitë e tij ishte vlerësimi i rolit të gruas shqiptare dhe respekti i veçantë që kishte për të gjitha nënat shqiptare që vuanin.
Sa ka ndikuar ai në formimin tuaj?
Personalisht i jam shumë mirënjohës për edukimin dhe ekzistencën, që na siguroi Mbreti Zog. Në një kohë kur kushtet ishin shumë të vështira, Nëna Mbretëreshë me mundësitë që patën më dërgoi në Angli, në universitet, pasi mbarova gjimnazin në Egjipt. Në sajën e saj mbarova studimet e larta si inxhinier kimist dhe sigurova jetesën, duke u punësuar në Francë, përpara vdekjes së Mbretit.
Në kujtimet tuaja do përfshini edhe një letërkëmbim shumë të pasur që keni pasur me Nënën Mbretëreshë, përse flitet më së shumti në to?
Për sa i takon letërkëmbimit të Nënës Mbretëreshë, Geraldinës, më parë do të doja të theksoja faktin, që ajo më konsideronte si nipin e saj të “preferuar”!! Kemi mbajtur lidhje të ngushta me takime ose korrespondencë. Flisnim për çështje nga më të ndryshmet, për zhvillimin e kulturës shqiptare në emigracion, për të organizuar ndihma humanitare me anën e motrës së saj, Zonjës Sylviane Muselier dhe mikut të ngushtë të Oborrit mbretëror Z. Hylle Spahija, por jo vetëm për refugjatët, por edhe për shqiptarët në atdhe dhe në Kosovë. Kemi vepruar për të ruajtur traditat tona dhe për të festuar datat historike bashkë me emigracionin në Belgjikë, në Kanada, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo në Australi e në Francë. Nëna Mbretëreshë dhe Mbreti Leka I, ishin në perëndim dhe në letrat që më dërgonte ishte e qartë se mendonte për të ardhmen e Shqipërisë, por edhe të djalit të saj, Mbreti Leka I dhe Princit Leka II si do të mund t’i bënin ballë vështirësive të jetës. Gjithmonë e kemi nderuar me bashkatdhetarët tanë kujtimin e Mbretit Zog I, në varrezat e familjes Mbretërore në Thiais, jashtë Parisit.
Përveç se po shkruani kujtimet, cili është angazhimi juaj i momentit?
Aktiviteti im kryesor ka qenë si kryetar i Zyrës së Shtypit të Oborrit Mbretëror. Jam një aktivist nacionalist për të drejtat legjitime të shqiptarëve të Kosovës, Çamërisë dhe të Maqedonisë, kam marrë pjesë në aktivitete kulturore dhe në tubime politike dhe shpesh herë, që prej vitit 1993 kam vizituar Shqipërinë dhe kam pranuar nderin e pozitës si kryetar i Veteranëve të Senatit të Partisë Lëvizja e Legalitetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›