Investimet publike, ndizet debati mes PS e PD
Investimet publike dhe realizimi i tyre ka ndezur sërish debatin mes selisë rozë dhe qeverisë. Qeveria Berisha, sipas Partisë Socialiste, nuk ka më para për të mbuluar me financim të gjitha kantieret e akseve rrugore që u hapën me nxitim gjatë fushatës elektorale. Sipas deputetit të PS-së për qarkun e Beratit, Erion Braçe, “deklarimet tona të faktuara, se disa qindra kantiere në 6 muajt e parë të këtij viti elektoral ishin të pambuluar me financim dhe po hapeshin thjesht dhe vetëm për të ndikuar në mënyrë të rremë sjelljen politike të votuesve, tashmë janë realitet. Sot qeveria nuk ka para, prandaj kantieret janë bllokuar në të gjithë vendin”. Por kjo deklaratë e Braçes është hedhur poshtë nga Ministria e Transportit. “Po ndërtojmë dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë dhe do ta bëjmë këtë me të gjitha rrugët nacionale, por do ta bëjmë edhe me rrugë të qyteteve të mëdha të vendit, sa herë do të konstatojmë pamundësi apo paaftësi nga ndonjë bashki për t’i shërbyer qytetarëve”, thuhet në deklaratën për shtyp të MPPTT-së.