E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana del me turp nga Championsi

 

ADRIATIK BALLA

Është mbyllur me turp prezantimi i Tiranës këtë edicion në Ligën e Kampioneve, pasi jo vetëm nuk mundi të lërë asnjë gjurmë pozitive nga performanca e saj kundër kampionëve të Norvegjisë, Stabaek, por në të njëjtën kohë u thye mbrëmë keqas 4-0 në “Telenor Arena” të Norvegjisë, një eliminim skandaloz për një skuadër që pretendonte të shkonte në fazën e grupve të këtij kompeticioni. Në të vërtetë dobësia u shfaq që në “Qemal Stafa” gjatë përballjes së parë, ku barazimi, edhe pse i drejtë, paralajmëroi pafuqinë e ekipit të Lonçareviçit për të shkuar më tej dhe sit ë mos mjaftonte kjo, disa dëmtime dhe mungesa i vunë kapakun disfatës së djeshme, e cila, për nga rezultati, kurrsesi nuk duhej të ishte e të tilla përmasave. Ndeshja që startoi në orën 20:45 pati vetëm një emër: Stabaek, i cili dominoi nga minuta e parë në të fundit dhe e meritoi plotësisht fitoren, duke i treguar Tiranës se si fitohet dhe kalohet në turin tjetër. Ëndrra e bardhebluve për të pasur rezultat pozitiv ka zgjatur vetëm 15 minuta, pasi në një terren sintetik që u shkonte për shtat vendasve, aksionet e shumta të sulmit të Stabaekut janë kurorëzuar me gol nga Segerstrom, i cili dy minuta më pas, pra në të 17’ realizon dhe golin e dytë personal. Praktikisht këtu mori fund ëndrra e Tiranës për t’u kualifikuar, ndërkohë që lojtarët e Stabaekut vazhdonin të krijon raste të tjera dhe vunë në vështirësi serioze mbrojtjen bardheblu. Trajneri Lonçareviç mbajti fjalën e tij në lidhje me formacionin dhe fleksibilitetin e skemës taktike, duke ndryshuar pozicionimin e lojtarëve herë pas here, por pa sukses, pasi asnjëri nga bardheblutë e hedhur në fushë nuk e justifikoi mbrëmë besimin e tij dhe për më tepër, gabimet në pasime dhe neglizhenca në ndërtimin e aksioneve i dhanë terren kundërshtarit që në harkun e 30 minutave të para mund të kishte shënuar edhe të tjerë gola. Rastet sporadike të Xhafajt dhe tentativat e tij nuk gjenin mbështetjen e pjesës tjetër të grupit e kësisoj dështimi i Tiranës ishte jo vetëm i lexueshëm, por edhe i pashmangshëm. Në minutën e 44-t vjen dhe goli i tretë nga Berglund, kështu që Tirana i drejtohet dhomave të zhveshjes me bindjen e qartë se ëndrra Champions kishte përfunduar. Në pjesën e dytë lojtarëve u mbetej të ruanin mos pësonin më gola dhe të realizonin të paktën një gol nderi. Trajneri Lonçareviç ndërhyn në formacion, duke nxjerrë Patushin për Abilaliajn, por edhe vlonjati mbeti në hije, pavarësisht dëshirës së madhe. Në minutën e 55-të Farnerud vulos parashikimin e tij për fitore të thellë. Gjithçka më pas vetëm, formalitet. Për t’u shënuar vetëm rasti i Mohelebisë që ndenji vetëm 11 minuta në fushë.

Stabek-Tirana 4-0

Stabaek: Knudsen, Segerstrom, Hauger, Keler (Andersen 76’), Kobajashi (Skjelvik 80’), Nanskog, Skjonsberg, Farnerud, Olsen, Hedenstad, Berglund (Hof 67’)
Trajner: Jan Jonson
Tirana: Nallbani, Dabulla, Pashaj, Lila, Sefa, Patushi (Abilaliaj 46’), Devolli (Devolli 63’), Alençenu, Osmani, D. Xhafaj, Lilaj (Hajdari 71’)
Trajner: Ilija Lonçareviç

Golat: Segerstrom 15’, 17’, Berglund 44’, Farnerud 55’
Gjyqtarë: Torsten Kinhofer/ Detlef Shep, Markus Vingenbah   
Kartonë të verdhë: Segerstorm 50’, Keler 74’/ Lila 15’
Karton të kuq: Mohelebi 74’

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›