Beqja: Të nisë vlerësimi i dëmeve në zonat e përmbytura
Deputeti Ilir Beqja, u shpreh se në Kuvend nuk kishte dëgjuar një fjalë të vetme për masat konkrete që do të merren për të përballuar situatën e krijuar në Shkodër. Deputeti i PS-së, tha se dje nuk ishte dëgjuar asnjë ndjesë e qeverisë për këta banorë. “Qeveria e Sali Berishës jo vetëm që u bëri gjëmën këtyre banorëve, por po dëshmon sot se është krejtësisht e paaftë dhe e papërgatitur për t’ i ndihmuar ata. Jo vetëm kaq, por pikërisht në momentin kur mblidhte Komitetin Ndërministror të Emergjencës, Sali Berisha miratonte buxhetin afatmesëm 2011 - 2013, në të cilin nuk reflektohet aspak kriza ekonomike, por as kriza e përmbytjeve”, u shpreh ai.Në emër të Partisë Socialiste, Beqja ka kërkuar që të fillojë menjëherë puna për vlerësimin e dëmeve me ekipe profesionistësh, të bëhen ndryshimet e nevojshme në ligjin e buxhetit të shtetit për të siguruar fondet për dëmshpërblimin si dhe të fillojë asistencën e menjëhershme financiare për familjet e prekura nga përmbytja.