Turqi, mbytet anija si pasojë e motit të keq
Lajmi u konfirmua nga disa zyrtarë. "Anija 'Orçun C', që lundronte me flamur moldav, u mbyt pranë qytetit bregdetar Kilyos, në Detin e Zi, nga erërat e forta dhe dallgët e mëdha", deklaroi Salih Orakçi, shef i rojave bregdetare të Turqisë në televizionin “NTV”.Ai nënvizoi se ekuipazhi i përbërë nga 21 persona, 17 prej të cilëve turq, u shpëtua, duke shtuar se anija ishte ndarë në dy pjesë dhe është konstatuar një rrjedhje e lehtë nga rezervuarët e karburantit.“Disa ekipe po përpiqen ta kufizojnë këtë ndotje dhe të zbrazin rezervuarët e anijes, që udhëtonte pa pasagjerë”, theksoi Orakçi. Drejtoria e rojave bregdetare njoftoi gjithashtu dërgimin e dy rimorkiatorëve për t'i ardhur në ndihmë anijes malteze të mallrave "Piper", pas marrjes së një mesazhi ku njoftohej se ajo rrezikonte të mbytej në veri të Bosforit, për shkak të një defekti në motorë.Megjithatë, ekuipazhi arriti ta riparojë avarinë dhe rimorkiatorët e shoqëruan anijen nëpër Bosfor. Anije të tjera ndihme u dërguan pranë anijes rumune të naftës "Papur", që ndodhej në rrezik në afërsi të plazheve të qytetit Kilyos. Bosfori, pika e detyruar e kalimit të anijeve të naftës dhe mallrave që vijnë nga Deti i Zi, është ndër ngushticat më të frekuentuara në botë.Anijet përballen me një rrezik të përhershëm në këtë kalim të ngushtë, që përfshin nga njëra anë Stambollin, një metropol me 14 milionë banorë dhe janë të detyruara të bëjnë manovra delikate.