Spanja ofron mbështetje për liberalizimin e vizave
Ambasadori i Spanjës në Tiranë, Emanuel Montobio, i shoqëruar nga Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan, i prezantoi sot kryeparlamentares Jozefina Topalli programin dhe prioritet e presidencës spanjolle të BE-së. Kjo presidencë, së bashku me presidencat pasardhëse belge dhe hungareze përbëjne një trio-presidencë të BE-së në koordinim të politikave, jo vetëm europiane, por edhe globale. Ambasadori spanjoll tha se zgjerimi i BE-së është një ndër prioritetet e kësaj presidence, tashmë edhe pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Ai shprehu mbështetje për Shqipërinë në procesin e heqjes së vizave, duke vlerësuar progresin e bërë nga pala shqiptare në plotësim të angazhimeve. Montobio tha se Parlamenti Europian, ashtu si parlamenti shqiptar do të jenë insitucionet me peshën kryesore në këtë proces. Ai vlerësoi diplomacinë parlamentare, si një veprimtari efikase dhe me impakt konkret në përshpejtimin e procesit integrues të Shqipërisë. "BE, tha ai, veç zgjerimit ka prioritete ndërtimin e një modeli të ri ekonomik, sfidat e ndryshimeve klimaterike dhe forcimin e BE-së si një faktor ndërkombëtar, përmes koordinimit të politikave në nivel transatlantik në bashkëpunim me SHBA-në, Kanadanë, Amerikën Latine e Azinë". Ambasadori spanjoll tha se në kuadër të Unionit Mesdhetar po shihet politika e një zone të lirë ekonomike gjë që do të ketë impakt pozitiv edhe për Shqipërinë si vend anëtar. Në fund të takimit u bisedua dhe për zhvillimet politike në Shqipëri, ku ambasadori spanjoll theksoi se "Parlamenti është vendi për opozitën dhe bojkoti nuk është i mirë për vendin dhe për demokracinë". Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit tha se "Kushtetuta është e qartë dhe ajo do të zbatohet". Gjithashtu, ajo shprehu besim në zgjerimin dhe heqjen e vizave, pasi shqiptarët janë populli më proeuropian. Që nga 1 janari 2010 Spanja mban presidencën gjashtëmujore të radhës së BE-së, prioritet kryesor i së cilës është vënia në zbatim e Traktatit të Lisbonës.