E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Topalli, një hienë e politikës

 

Kandidati i PS-së për qarkun e Shkodrës hedh poshtë akuzat e dy ditëve më parë të kryeparlamentares Jozefina Topalli në lidhje me abuzimet e kryera, në kohën kur ai ka qenë drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore. “Të premten në darkë, ajo u mor gjerë e gjatë me emrin tim dhe tha se isha në krye të listës së PS-së në Shkodër sepse më duhej imuniteti, sepse isha një kandidat që e kisha vendin në burg. Zonja në fjalë, me fjalë shumë, tha se katër vjet më parë kisha qenë hajdut. Dhe këtë thënie, zonja kërkoi ta bëjë provë. Dhe e bëri, një provë tjetër të vesit të saj të vjetër të gënjeshtrës. Njëlloj si ustai i saj, Saliu, që na tha në janar të vitit 2007 fjalë për fjalë se ai gënjente shqiptarët në fushata elektorale”, thotë Beqja në letrën e hapur. I pari në listën e PS-së, theksoi se “gjatë këtyre katër vjetëve, askush, asnjë institucion nuk më ka akuzuar, as mua dhe as ndonjë nga kolegët e mi socialistë për ndonjë bëmë e gjëmë të së shkuarës. Por institucioni i gënjeshtrës dhe baltës, u kujtua tani, në epilog të fushatës, të rimerrte baltën e vjetër, baltën e llojit bumerang që vrapon drejt gojës që e ka nxjerrë! Kjo zonjë është vërtet gënjeshtare”. “E kujtoni kur përmendi plumbat në 2005? Atëherë ishte korrik dhe zonja atë plumb nuk do t´ua kursente, siç tha, socialistëve. Katër vjet më pas, në qershor, ajo sërish përdori gjuhën e saj prej plumbi dhe eksplozivi C4, jo në studio televizive, por në natyrë të hapur. I quajti demokristianët ose spiunë, ose mafiozë, ose kontrabandistë. Për një “kapricio” të çuditshme të fatit, vetëm 48 orë më vonë, një demokristian, hidhet në erë në makinën e tij me eksploziv C4. Gënjeu për demokristianët apo gënjeu të tjerët duke i bindur se në këtë vend ku shpesh ka mbretëruar mëkati, mëkati i vrasjes mbetet gjithmonë mister. Ky është misteri tjetër i zonjës gënjeshtare. Kjo zonjë është jashtëzakonisht gënjeshtare. Mbas ngjarjes në Malësinë e Madhe policia foli me gjuhën e zonjës, por tundi kokën e vet nën kapele”, deklaroi Beqja. Më pas kandidati socialist shtoi se: “Po t´u besosh gjermanëve të vjetër që ishin të bindur se çdo krahasim çalon, krahasimet që mund të bëhen me zonjën Topalli, fjala vjen ato që janë përdorur së fundi çalojnë fare pak. Madje edhe atëherë kur e krahasojnë atë me një “hienë të politikës shqiptare” apo dhe kur e quajnë “mostër”. “Së fundmi, kjo zonjë është një model i rrallë. Një model i përkryer i asaj çfarë nuk duhej të ishte dje, që nuk duhet të jetë sot, dhe që nuk duhet të jetë nesër një qytetar i thjeshtë shqiptar. Sa për politikën..., ky është një sport që krijon handikapë seriozë për njerëzit, që çalojnë seriozisht në jetë, që kanë çaluar në të shkuarën, që çalojnë në të sotmen dhe që do të vazhdojnë të çalojnë në të nesërmen e tyre”, shprehet Beqja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›