Ndoka: Padi Topallit dhe policisë
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, nga qyteti i Shkodrës deklaron se ka bërë gati dosjen që do të dërgojë në prokurori ndaj kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe Policisë së Shtetit. Ai deklaroi në një konferencë për shtyp se Aleks Keka, kryetar i kësaj partie në Malësi të Madhe, është vrarë dy herë: nga politika që e ekzekutoi me shpërthim eksplozivi dhe nga policia që njollosi me të padrejtë figurën e 34-vjeçarit, duke e quajtur trafikant dhe person me precedent penal. Sipas demokristianit, dosja po përgatitet nga zyra juridike e kësaj partie për t’u dorëzuar në organin e hetimit sipas akuzave përkatëse. “Topalli do të përballet me akuzën e shpifjes ndaj demokristianëve pasi i ka quajtur ata spiunë dhe trafikantë. Ndërsa Policia e Shtetit do të akuzohet po për shpifje, por kjo në drejtim të figurës së kreut të PDK-së Aleksandër Keka, pasi në një njoftim zyrtar të saj ditën e vrasjes, e quajti trafikant dhe person me precedent penal”. Gjatë konferencës së djeshme Ndoka deklaroi se ekzekutimi i Kekës ishte i urdhëruar nga politika dhe kjo sipas tij është e vetmja pistë hetimi. “Të ndjerit prej kohësh po i bëheshin presione dhe joshje nga rivalët politikë”, është shprehur Ndoka. Në lidhje me padinë që po përgatitet mësohet se PDK-ja po nxjerr dhe dëshminë e penalitetit të Kekës. “Aty del qartë se Aleks Keka nuk ka qenë asnjëherë person i dënuar dhe është e pamoralshme dhe një vrasje e dytë që policia bëri ndaj tij. Policia duhet të merret me zbardhjen e ngjarjes të zbulojë dhe arrestojë autorët që ende nuk e ka bërë dhe jo të merret me të vdekurin, duke shpifur dhe shkelur çdo kod moral dhe etik.