E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllofet e bardhebluve të huaj

 

Leonard Karaj

Të gjithë duan të shkojnë aty por askush s’ndihet i mbrojtur. Duket paradoksale por është mëse e vërtetë. Tirana është klubi më i pasur dhe me infrastrukturën më të mirë në Superligën shqiptare por të qëndrosh tek kjo skuadër qoftë si futbollist qoftë si trajner është një sakrificë më vete. E tillë ka qenë natyrisht edhe për trajnerët e huaj, të cilët patën ardhur gjithë pompozitet por janë larguar thuajse që të gjithë mes polemikash. Duke marrë shkas nga prezantimi i teknikut të pestë të huaj që klubi bardheblu ka njohur në historinë e vet, Ilija Lonçareviç, gazeta “Panorama” kthehet sadopak në kohë për të bërë një bilanc të katër të tjerëve; Miklos Temeshvarit, Enver Haxhibadiçit, Leonardo Menekinit dhe Blazh Sliskoviçit.
Lektori
Të katër trajnerët e huaj të mëparshëm i bashkon, përveç faktit se kanë drejtuar skuadrën më të pasur në Shqipëri, edhe një statistikë e dhimbshme: asnjë nga ata nuk arriti ta përfundojë sezonin, duke u larguar për shkaqe që lidhen si me rezultatet (jo fort të mira), por dhe me atmosferën “vrasëse” të ambientit bardheblu. Këtë gjë e provoi i pari hungarezi “lektori i FIFA-s”, Miklos Temeshvari (sezoni 2000-2001), kur i punësuar nga presidenti i atëhershëm i Tiranës, miliarderi egjiptian El-Sajed, kërkoi disiplinë të fortë te Tirana. Bilanci: tekniku u dorëzua pas 21 javësh, pas një rezultati negativ në Berat me Tomorin (1-0, java 21 duke i lënë në dorë për 5 javët e fundit të kampionatit skuadrën, Shkëlqim Muçës me një bilanc prej 11 fitoresh, 6 barazimesh dhe 4 humbjesh. Në fund Tirana mbylli sezonin në vendin e dytë pas Vllaznisë.
Boshnjaku
Pas largimit të profesorit hungarez, një boshnjak do të guxonte të drejtonte klubin e famshëm shqiptar, Enver Haxhiabdiç (sezoni 2002-2003) por as ai nuk u rezistoi dot klaneve të bardhebluve dhe u largua brenda 5 muajve. Bilanci: 6 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje, e cila mjaftoi për ta larguar nga Tirana. Enver Haxhiabdiç ishte një teknik mbi nivelin e teknikëve shqiptarë. Ishte njeri i qetë. Nuk arriti ta kuptonte kampionatin shqiptar dhe mentalitetin e futbollistëve që drejtonte. U largua pas një ndeshjeje derbi Partizani-Tirana, ku bardheblutë humbën 0-2 (java e 9-të, sezoni 2002-2003).
Italiani
Në sezonin 2005-2006 në pankinën e Tiranës erdhi ish-ndihmësi i Karlo Macones, italianin Leondardo Menikini. Ky i fundit u bë trajneri i dytë i huaj italian që drejtoi një skuadër shqiptare, pas Ticiano Gorit, i cili kishte pasur në dorë pankinat e Partizanit dhe Erzenit. Menikini ishte një trajner profesionist, një teknik karizmatik. Realizonte stërvitje në mënyrë profesionale, solli elementin teknik italian në Shqipëri. Erdhi për një projekt të madh por që fatkeqësisht nuk u kuptua aq sa duhet nga drejtuesit dhe futbollistët bardheblu. Ai u largua pas katër muajsh, pas një barazimi të bujshëm Tirana-Shkumbini 4-4 në “Selman Stërmasi” (java 11, sezoni 2005-2006) me një bilanc prej 5 fitoresh, 4 barazimesh dhe 2 humbjesh.
Baka
Kur u prezantua shumë besuan se ai do ti rezistonte kampionatit shqiptar, jo për gjë por për sa më sipër e konfirmoi presidenti-donator Refik Halili i cili tha se trajneri do të drejtonte skuadrën e tij deri në fund të sezonit 2008-2009 pavarësisht rezultateve. Humbja turpëruese në fushën e tyre përballë një Teute shumë herë më e dobët në letër dhe pa shumë pretendime si dhe barazimi në deri duke lëshuar terren (-4 pikë) në kreun e renditjes solli edhe largimin drithërues të Bllazh Sliskoviç. Kroati i egër u shqua për disiplinën e madhe dhe për konfliktin e hapuar me disa futbollistë mes të cilëve edhe me kapitenin Devi Muka. Madje sherri me këtë të fundit në një farë mënyre solli edhe largimin e tij nga Tirana. “Ose hiq Mukën ose do iki unë”, i pati konfirmuar ai Refik Halilit pas humbjes me Teutën. Përgjigjja e kreut të presidencës bardheblu natyrisht ishte negative. Në 14 javë Tirana e Slishkoviçit fitoi 6 takime, barazoi po 6 dhe humbi 2 ndeshje.
Ndërsa prej ditës së djeshme zyrtarisht në krye të tiranës është vënë një tjetër i huaj, po aq i famshëm sakundër edhe katër të tjerët, Ilija Lonçareviç. Edhe për këtë presidenti-donator Refik Halili premtoi se do të ishte trajneri që do përfundojë sezonin. Të shohim atëherë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›