E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: Çdo shqiptar trashëgon 2300 USD borxh nga qeveria

Replika PS kundërshton deklarimet e Kryeministrit: S’dimë ku i gjen shifrat

Partia Socialiste vë alarmin për rritjen e borxhit publik. Deputeti Ilir Beqja deklaroi dje se ky borxh po pëson vetëm rritje, duke kapur sipas tij shifra marramendëse. “Borxhi publik i Shqipërisë vazhdon të rritet. Aktualisht, niveli i borxhit ka kapur shifra marramendëse, të paimagjinueshme për vende si i yni; plot 7,3 miliardë dollarë. Secili prej nesh, çdo shqiptar, ka sot një borxh prej 2,300 dollarësh. Madje edhe çdo fëmijë që lind këtë vit, që ditën e parë të jetës trashëgon një borxh nga qeveria “Berisha” prej 2,300 dollarë”, deklaroi Beqja. Sipas tij, 3 janë arsyet e rritjes së borxhit publik: Paaftësia e qeverisë, papërgjegjshmëria e qeverisë, korrupsioni i qeverisë. Prej këtyre arsyeve, deputeti i PS parashikon një rritje të borxhit publik deri në 480 milionë dollarë. “Duke qenë e paaftë për të siguruar para për investime siç i siguron çdo qeveri në botë, qeveria shqiptare është detyruar të marrë kredi me interesa tregtare, të cilat janë shumë të shtrenjta dhe ndikojnë në rritjen e borxhit publik. Janë të shumta rastet kur qeveria shqiptare ndërmerr investime pa bërë asnjë studim të saktë qoftë për rëndësinë e investimit apo fizibilitetin e tij, qoftë për të vlerësuar mundësinë dhe afatet e shlyerjes së kredive të marra për këtë investim. Taksa e ryshfetit është bërë pjesë e çdo kontrate qeveritare dhe e çdo shpenzimi qeveritar, pa të cilin asnjë sipërmarrës shqiptar ose i huaj nuk mund të zgjidhë punë në Shqipëri. E keqja është se niveli tejet i lartë i borxhit publik do të rritet edhe më shumë. Vetëm në vitin 2010 borxhi publik do të rritet me 480 milionë dollarë të tjera, duke e çuar ekonominë shqiptare drejt një rruge të pasigurt dhe të rrezikshme”, sqaron më tej Beqja. Gjatë deklaratës së tij, deputeti Beqja ka folur edhe për deklaratat optimiste të Kryeministrit Berisha, në lidhje me turizmin, të cilat sipas tij, do kundërshtohen nga statistikat zyrtare. "Se ku i gjen Kryeministri shifrat e veta optimiste..., le të presim pak javë që statistikat zyrtare t’i kundërshtojnë ato”, tha ai.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›