E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri: Në korrik patëm rritje të pazakontë

Deklarata Berisha kundërshton opozitën: Nuk kanë asnjë fakt

Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike të pazakontë gjatë muajit korrik. Kjo ishte deklarata që bëri dje Kryeministri Berisha në mbledhjen e radhës të qeverisë, duke u fokusuar më shumë në rritjen e eksporteve. Sipas Berishës, produktet e prodhuara në Shqipëri kanë shënuar një rritje prej 65% dhe se kjo është për t’u përgëzuar. “Muaji korrik është një muaj me lajme qartësisht pozitive. Dua të informoj qytetarët se treguesi më i ndjeshëm, më i fortë dhe solid i prodhimit janë eksportet. Për muajin korrik, eksportet “Made in Albania” kanë një rritje prej 65 për qind dhe në këtë rritje, nuk ka asnjë qindarkë të ardhur nga shiu, pra, nga energjia, por e tëra është rezultat i mundit, punës dhe djersës”, deklaroi Berisha. Në këtë kuadër, kreu i qeverisë nuk ngurroi të akuzonte përfaqësuesit e opozitës për deklaratat e tyre që flasin për një rënie ekonomike në vend. “Ajo që është thellësisht pozitive është rritja e eksporteve me materiale të importuara. Ju i keni parë lotët e krokodilit që u derdhën për fasonët. I ftoj ata që bëjnë hipokrizi, të marrin statistikat dhe të shohin se në 7 muaj ka një rritje prej 29 për qind dhe të mos harrojmë se në tërësi janë që të gjitha prodhime të imta”, theksoi Berisha. Rritjen ekonomike, kreu i qeverisë e arumentoi me shtimin e eksporteve të shoqëruar edhe me një rritje të ndjeshme të punësimit në vend. “Nëse ka një gjë, me të cilën lidhet më ngushtë njësia e prodhimit me njësinë e punës, janë fasonët. Në total, eksporti i 7 muajve kap vlerën e 95.2 miliardë lekëve, kundrejt 57 miliardë të 7 muajve të vitit të kaluar”, deklaroi Berisha. Sipas tij, Shqipëria kryeson dhe është jashtëzakonisht pozitive se kryeson me një ekonomi reale.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›