E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen për vjedhje 3 shqiptarë

Itali

Tre shqiptarë, që ishin në ndjekje nga policia në Pezaro të Italisë, qytet në bregdetin e Adriatikut, pjesë e rajonit Marche, përfunduan dy ditë më parë në pranga. Arrestimi i tyre u realizua pak pasi u arrit të ndalohet makina me të cilën udhëtonin për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë. Nga kjo ndjekje u përmbys edhe një makine e karabinierëve ku për pasojë u plagosën edhe dy ushtarë, tashmë të shtruar në gjendje të rëndë në spital. Mediat italiane raportojnë se ajo që i tradhtoi tre shqiptarët e dyshuar për disa vjedhje, ishte pikërisht makina e përdorur gjatë arratisjes, e gjurmuar në lokalitetin Case Bruciate, e cila iu nënshtrua një kontrolli të menjëhershëm. Tre shqiptarët që sapo kishin zbritur nga një tjetër makinë, tentuan të hapin në distancë dyert e makinës dhe pikërisht në atë moment u hodhën në aksion karabinierët. Sipas policisë, shqiptarët reaguan me shqelma e grushte, por më pas përfunduan në pranga. Shqiptarët janë identifikuar si Spartak Gjoka, 28 vjeç, banues në Misano Adriatico, Gentjan Loku, 23 vjeç, klandestin dhe Altin Prenga, 32 vjeç. Në automjetin e tyre u gjetën edhe 6 celularë, bizhuteri dhe 3650 euro në kartëmonedha, që dyshohet të jenë fryt i ndonjë vjedhjeje nëpër banesat e vëna në shënjestër nga kjo bandë në zonën mes Riminit dhe Bolonjës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›