E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vonohet rritja e pagave për të gjithë buxhetorët

Procedurat Qëndrimi i Ministrisë së Financave: Nuk ka mbërritur vendimi i zbardhur

Vendimi i qeverisë për rritjen e pagave të administratës i cili do hynte në fuqi nga 1 korriku ka rezultuar nul. Punonjësit e administratës i kanë marrë pagat e muajit korrik pa asnjë rritje, në të njëjtën shumë si ato të qershorit. Të pyetura nga “Top Channel” burime nga Ministria e Financave e justifikojnë mosrritjen e pagave me vonesat në procedurat për zbardhjen e vendimit të qeverisë. Sipas tyre, vendimi i marrë në datën 8 korrik ende nuk është zbardhur për t’u kaluar zyrtarisht institucioneve që t’i përllogarisin pagat e punonjësve të tyre sipas niveleve të reja. Ende nuk është e qartë se kur punonjësit e administratës do i marrin pagat e rritura. Gjasat janë që shtesa të mund të bëhet efektive muajin tjetër. Por ndryshe nga sa ka ndodhur me rritjen e pagave, procedurat nuk kanë penguar hyrjen në fuqi të një vendimi tjetër, i cili rrit detyrimet e kontributeve për pagat e larta. Të gjithë punonjësit e administratës, me pagë më të lartë se 80 mijë lekë e kanë marrë pagën e korrikut jo me rritje, por me ulje për shkak se qeveria rriti tavanin e përllogaritjes së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga 80 mijë në 84 mijë lekë. Kjo është hera e parë kur procedurat burokratike të qeverisë vonojnë hyrjen në fuqi të rritjes së pagave. Vitet e tjera vendimi i qeverisë për rritjen e pagave është bërë gjithmonë efektiv në datën 1 korrik dhe në fillim të gushtit, punonjësit e administratës kanë marrë pagat e rritura. Madje vitin e kaluar, rritja e pagave hyri në fuqi që në datën 1 maj, dy muaj përpara zgjedhjeve. Në mbledhjen e datës 8 korrik, qeveria vendosi rritjen e rrogave të administratës shtetërore e cila varionte nga 2 deri në 11 për qind, me përparësi pagat e ulëta. Më 8 korrik, Këshilli i Ministrave miratoi rritjen e pagave për administratën. Rritja e pagave, sipas Kryeministrit, vjen në një kohë kur në tërësi pagat po ulen. Por, sipas tij, qeveria nuk ka arsye të heqë dorë nga qëndrimi dhe nga premtimi për rritjen e pagave. Kryeministri theksoi se të ardhurat e realizuara këtë gjashtëmujor prej 151 miliardë lekësh bëjnë plotësisht të mundur rritjen e rrogave të administratës, pa pasur asnjë ndikim mbi borxhin dhe rritjen e tij. Mbështetur në projektin e qeverisë, rrogat e mjekëve do të rriten me 11 për qind, rrogat e infermierëve me 9 për qind, rrogat e mësuesve do të rriten me 6 për qind. Ndërsa pagat e ushtarakëve aktivë në Forcat e Armatosura, të nëpunësve të administratës së prefektit, të nëpunësve të institucioneve në varësi të ministrive, të punonjësve të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri, të punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, të punonjësve të sistemit doganor, të nëpunësve të Shërbimit Pyjor, të punonjësve të sistemit tatimor, të punonjësve të Policisë së Shtetit, do të kenë një rritje nga 4 deri në 5.2 për qind. Rrogat e ulëta do të rriten me 10 për qind.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›