E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, 15-vjeçarja plagos fqinjen me çifte për tokën

• Adoleshentja plagos fqinjen 43-vjeçare pas sherrit për bagëtitë.BERAT / DILAVER XHELILISipas policisë, ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Osmënzezë të Beratit, kur M.Mehmeti, 15 vjeçe qëlloi me çifte bashkëfshataren Xare Torra. Të dyja ndodheshin në tokat e tyre, kur ka nisur dhe grindja me fjalë. Sipas vajzës, bagëtitë e fqinjes hynin shpesh në pronën e familjes së saj, duke i kërkuar që kjo të mos ndodhte më. Pas debatit të zakonshëm tashmë, adoleshentja është larguar drejt shtëpisë, prej nga ka dalë me një armë zjarri në dorë. Mësohet se në banesë ajo nuk kishte asnjë nga familjarët dhe nuk është penguar që të marrë çiften e pasi t'i afrohej 43-vjeçares të qëllojë ndaj saj disa herë. Saçmet e dala nga arma e kanë lënë të plagosur rëndë gruan. Krismat e armës së zjarrit kanë alarmuar banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Pa e ditur ende se çfarë kishte ngjarë, forca të shumta të policisë janë nisur drejt vendngjarjes. Aty kanë gjetur të plagosurën, duke bërë transportin e saj për në spitalin e Beratit. Sipas mjekëve, ndonëse saçmet i kanë prekur pjesë të ndryshme të trupit, gjendja e gruas ndodhet jashtë rreziku për jetën. Ndërkohë, ekspertë të policisë kanë nisur hetimet për ngjarjen, duke arritur të identifikojnë se autorja e krimit është vajza 15-vjeçare, Mehmeti. Ata e kanë gjetur në shtëpi dhe që nga deklarimet e para mësohet se e ka pranuar plagosjen e bashkëfshatares, duke treguar dhe arsyen. Menjëherë uniformat blu kanë bërë shoqërimin e adoleshentes për në komisariatit e Beratit. Ndaj saj është vendosur masa e arrestit në flagrancë, me akuzën e "vrasjes së mbetur në tentativë". Ndonëse, vajza është ndaluar nga policia uniformat blu ende nuk janë larguar nga fshati Osmënzezë. Fiset Mehmeti dhe Torra mësohet se janë dy fiset më të mëdha në fshat dhe frika për ndonjë hakmarrje të mundshme ka detyruar policinë e Beratit të mbajë nën mbikëqyrje të plotë të gjithë zonën. Nga ana tjetër është marrë dhe dëshmia e të plagosurës, e cila ka faktuar ngjarjen që kishte ndodhur për një sherr banal.Vlorë, plagoset ushtariNjë lojë mes ushtarësh ka shkaktuar plagosjen e njërit prej tyre. Ngjarja ndodhi në zonën ushtarake të Pashalimanit mbrëmjen e së martës. Dy të rinjtë mësohet se i kanë hequr një fishek automatikut të shërbimit, dhe pasi i kanë hequr plumbin e kanë mbushur me barut e gurë shumë të vegjël. Shoku i Arjan Babit nga Berati e ka futur kapsollën në folenë e automatikut dhe e ka shkrehur këmbëzën. Nga shpërthimi baruti dhe gurët u shpërndanë, duke plagosur 19-vjeçarin. Ai është dërguar në spitalin e Vlorës, ku sipas mjekëve një prej gurëve të vegjël për pak sa nuk i kishte depërtuar në kockë. Policia shoqëroi ushtarin tjetër, deri në sqarimin e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›