E Diel, 1 Nëntor 2026

“Miqësia e tim eti me Mjedën dhe Fishtën”

• Kujtimet e saj me të atin janë të shumta. Nuk di t’i rendisë dhe nuk di çfarë të thotë më parë.Më mirë preferon ta pyesësh, ta ngacmosh dhe përgjigja të vjen aty për aty. Sepse për Marian, Injac Zamputti, nuk ka qenë thjesht një baba i përkushtuar, por edhe një mësues i mirë, që gjithmonë di të tregojë rrugën e duhur. Në takimin modest, për Injac Zamputtin, një nga njohësit më të mirë të historisë së letërsisë së Mesjetës, të organizuar dje në Muzeun Historik Kombëtar, morën pjesë emra të njohur të historisë si Beqir Meta, Luan Malltezi, Kolec Topalli, Gjovalin  Shkurti, Musa Vyshka e shumë të tjerë, të cilët folën për veprën e tij, për jetën, për kontributin e shquar në fushën studimore, por edhe në krijimin e Arkivit të Shtetit Shqiptar. Zamputti, shoqëria me poetët shqiptarËE bija, në dhjetëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, tregon kohën kur Injaci u mësonte violinën, arkivin, projektet, veprat, lidhjet me Fishtën e Mjedën, kohët e punës dhe dorëshkrimet që vëllai i saj ruan në Itali. “Kujtimet me tim atë janë të shumta. Ka qenë një baba i jashtëzakonshëm, por edhe një mësues i mrekullueshëm. Çdo natë flinim duke i rënë violinës dhe duke kënduar. Babai është marrë shumë me ne fëmijët, pavarësisht se ishim gjashtë, dhe vitet për ne ishin vite shumë të vështira dhe tronditëse”, tregon Maria. Me prejardhje italiane nga i ati, Injaci, lindi në Shkodër në vitin 1910. Vitet në Shqipëri për të nuk ishin dhe aq të thjeshta. Sipas të bijës, familja e tyre shihej me syrin e keq, si italianë. “Në momentet më të vështira të jetës së tij, kur luftoi me fletë rrufe në Tiranë, kur djalin e vetëm ia çuan në zonat më të thella të Mirditës që mbaroi për matematikë shkëlqyeshëm, ku të bijën ia çuan në zonat më të thella si mjeke ku doli dhe ajo shkëlqyeshëm, ai arriti të krijonte kryeveprat e tij. Në momentet më tronditëse të jetës, më të vështira, shkruante kryeveprat”, shprehet Maria. dy veprat e mëdha të ZamputtitNë vitet e fundit, Zamputti botoi dy veprat studimore më të rëndësishme “Koha, jeta, vepra e Fishtës” dhe “Ekskursion në veprat e Kadaresë”. “Veprën e parë për Fishtën, babai e ka botuar kur unë isha shumë rëndë dhe rrija në krevat ngjitur me të ai nxori këtë kryevepër. Nuk e di nga i vinte gjithë kjo forcë e madhe për të shkruar, me sa duket dhimbja e madhe të ndihmoka”, shpjegon e bija, e cila ka studiuar për letërsi. Si historian Zamputti ka botuar disa vëllime me histori, por si letrar ka filluar që në vitin 1936-1937 me novelën “Zëra njerëzish”, dramën “Guri i themelit”, dramën “Damjani Himariot” e më pas shkroi dy veprat e mëdha studimore. “Babai me Fishtën ka pasur relata mjaft të mira, kanë punuar në një tavolinë, kanë jetuar bashkë, me humorin e tij, me mençurinë e jashtëzakonshme të Fishtës, sepse babai sado që ishte shumë më i ri në moshë, kjo nuk krijonte probleme për miqësinë e tyre”, thotë ajo, duke kujtuar gjithashtu edhe miqësinë e të atit edhe me Ndre Mjedën. “Unë kujtoj ato ç’ka thoshte babai. Për Mjedën, tregonte se gjashtë vitet e fundit të jetës i kaloi si mësues në kolegjin Saverian. Dhe babai në atë kohë u caktua mësues. Ishte mik me të dhe çdo mëngjes vinte në shtëpinë e tij dhe bënin rrugën bashkë deri në shkollë”, shpjegon Maria.Zbulimet për vdekjen jo aksidentale të Pjetër BuditZbulimet më të mëdha të Zamputtit kanë qenë për “Gurin e arbrit”, të cilin e zbërtheu dhe e pa çfarë ishte shkruar në të. Shuteriqi kur e mësoi këtë gjë është shprehur se: Tani historia e letërsisë shqiptare do nisë nga fillimi”. Sipas së bijës së historianit, Injac Zamputti është marrë me fotokopjet e fotografive që vinin nga Vatikani. “Latinishten e mesjetës e shtjellonte me lupë. Aty kishte hieroglife, të cilat çuditesha kur i shihja se si i zbërthente. Madje dua të kujtoj se ka qenë kënaqësia më e madhe në familjen tonë, kur babai arriti të zbulojë që mes të tjerash se Pjetër Budi, nuk u mbyt aksidentalisht”, shpjegon ajo. Ndërkohë që në seancën përkujtimore të Injac Zamputtit realizuar dje në Muzeun Historik Kombëtar u fol gjatë dhe me detaje nga historianët, ata që e njohën nga afër njeriun që u mor gjatë me historinë e letërsisë së mesjetës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›