“T&G” feston datëlindjen e pesëmbëdhjetë
• Galeria e parë private “T&G” mbush 15 vjeç.Me një ekspozitë të veçantë, ku marrin pjesë emra të njohur të pikturës e skulpturës, me punë të zgjedhura, kujtime e urime, është përuruar dje në ambientet e saj, kjo “shtëpi arti” e themeluar në 1993 nga Tefik Dedej. Prej tre vjetësh pas ndarjes së tij nga jeta, i biri, Tani ka marrë në duar gjithçka përsa i përket kësaj galerie. Ka marrë në duar menaxhimin, takimin me artistët, organizimin e projekteve, aktiviteteve përkujtimore e përvjetorësh, e cila nuk është dhe aq e thjeshtë. Tani, kujton vitin e parë të themelimit të kësaj galerie, me çeljen e së cilës shënohej edhe krijimi i së parës galeri private në vend. “Viti i parë ishte shumë i vështirë, ishte testim i piktorëve sepse ishte eksperienca e parë që krijohej një galeri private për artistët. Ishte diçka e re dhe menaxhimi i saj, nuk ishte dhe aq i thjeshtë. Por me kalimin e kohës gjithçka ndryshon, mëson, e krijon eksperiencë, çdo gjë merr trajtë vetë”, shprehet ai. Për të këto pesëmbëdhjetë vite të galerisë, do të thotë një udhëtim i gjatë artistësh shqiptarë dhe jo vetëm, një numër i madh ekspozitash, të cilat nuk mund t’i numërojë, një numër i madh veprash, që ndryshojnë tematikë, kohë, perceptim. “Nuk dua të them se këto 15 vite galeria ka evoluar, por ka vazhduar traditën e vet. Eshtë viti i tretë që e drejtoj unë pas vdekjes së babait, dhe po përpiqem të vazhdon traditën e tim eti”, shprehet ai. Ndërsa dje në një ceremoni të veçantë ku nuk mungonin personalite të ndryshme të artit e kulturës, është festuar 15 vjetori i lindjes së “T&G”.